Suplementi Pena Shqiptare/ Nebi Dragoti: Poetja Natasho Lako në rrugëtim mediativ

544
Sigal

Cikli i botuar në gazetën “Mapo”  datë 18. O5. 2019 konfirmon vazhdimin në rrugëtimin meditativ të poetes së afirmuar e të mirënjohur Natasha Lako. Shprehem kështu, sepse i tillë ka qenë fillimrrugëtimi i saj në poezi. Na sillen në mendje motivet plot jetë, krijimet e shkurtra me përmbajtje koncize, me vargje elokuente e mendime të ngjeshura figurative. Vargu i saj ka qartësi, nuk e fut mendimin në labirinte të errëta. Vargu përcjell filozofi jete. Nuk merret me art skematik e metafora ekuivokë, që të çojnë në hermetizëm e krijimtari cerebrale.. I përcjell lexuesit mendimin dhe nëpërmjet mendimit konfirmon individualitetin e saj poetik, tashmë, të formuar përfundimisht. Nuk desha të ndërhyj në natyrën e kësaj artisteje të talentuar e të spikatur, se çfarë mund t’i japi më shumë poezisë, se kjo nga ana psikologjike është e vështirë.  E… megjithatë nuk hezitoj duke e ngacmuar: Natasha duhet të avancojë në shtrirje për të rrokur azhurnim motivesh sociale në shërbim të njeriut dhe kohës, mbase, kështu plotëson më së miri misionin për të qenë denjësisht vizionare e poezisë.Në këtë detyrë duhet të jetë çdo krijues me moshë e stazh në rrugën e krijimtarisë.

Plagjiaturistët budallenj

 

Është qesharake ta quash veten poet apo shkrimtar duke vjedhur krijimet e tjetrit dhe duke i publikuar me emrin tënd. Kjo është një mani e tepruar dhe e turpshme, sepse vetë deskreditohe përballë lexuesit. Ky fenomen negativ ka ndodhur, ndodh edhe sot. Ka zëra që tregojnë për plagjiaturën duke denoncuar edhe emra konkretë. Kjo duhet ndaluar dhe përsëritës të kësaj dukurie duhet të bëhen shembuj deri edhe duke i dënuar moralisht në sytë e shoqërisë. Autori dërgon për publikim krijimin në një adresë, ku stafi, që merret me këtë proces duhet të jetë i kujdesshëm duke analizuar si në skaner autorësinë. Kur konstaton plagjiaturë edhe në një varg, strofë apo vjershë duhet ta ndalojë, madje, ta qortojë se është në rrugë të gabuar. Publiku artdashës i letërsisë plagjiaturistët e tillë do t’i përbuzë. Për ta ndaluar këtë shfaqe duhet të vihet në kontroll të rreptë dhe të mos anashkalojnë ata që botojnë, pasqyrojnë, deklamojnë siç janë gazetat letrare, facebook, portalet e shumta elektronike, madje, edhe mediat vizive  apo fonike. Dhe për këtë duhet staf i kualifikuar, që shpesh këto nuk e kanë, si e keqja më e madhe. Stop plagjiaturës! Nuk bëhesh krijues me krijimet e tjetrit. Në këtë çështje plagjiaturistët tregohen lehtësisht budallenj. Shkurt, kërkohet vigjilenca dhe përgjegjësia e të gjitha llojeve mediatike.