Zëri i Vaçe Zelës qetëson ndjenjat e trazuara shpirtërore që po kalojmë
“Shqipëria është e mrekullueshme dhe do të këndoj deri në vdekje për atdheun” Vaçe Zela
Në dhjetor 1980, Vaçe Zela merr pjesë në festivalin e 19 në RTSH me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Kanë kaluar 40 vjet dhe ky zë edhe në ditët e sotme mbush me energji jetësore çdo shqiptar që e dëgjon. Me një interpretim brilant. dhe me zërin e saj të jashtëzakonshëm sot kënga ushton si një simfoni e pafund për atdheun, duke u shndërruar në një mit atdhetar. Kënga të mbush me një optimizëm për jetën edhe në momentet që po kalojmë. Shqipëria, trimat në shekuj, partizanët, shqipja krenare, flamuri fitimtar në çdo betejë janë mesazhe që përcjell kënga. Zëri i mrekullueshëm që shpërndan mesazhet e këngës na jep besim se fituam në përballje edhe me Koronavirusin D 19.
Rrjedh në këngë e ligjërime
E i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngët lugjeve i përcjell.
E i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend m’i sjell,
m’i përkëdhel.
Nga ky diell i kohës sime,
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr, flakëron!
E i fortë po bie ai tel
dhe lahuta tingujt m’i çon larg, i përcjell. E një flakë po nxjerr ai tel,
partizanët nëpër mend mi sjell.
Nga ky zë i tokës sime , flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh , brez më brez.
Po ku ka si ti moj Shqipëria ime, por si shqipja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime, ballëlarta me flamur.
Si e kam njohur Vaçe Zelën!
Ishte viti 1970. Qyteti i Lushnjes po përgatitej të festonte, më 21 janar, 50-vjetorin e Kongresit të Lushnjes; Kongres që mori vendime të rëndësishme si: Formimi i qeverisë së re në mbrojtje të copëtimit të Shqipërisë, në zbatim të traktatit të fshehtë të Londrës, shpallja e qytetit të Tiranës kryeqytet etj. Në koncertin organizuar për këtë ditë të shënuar këndoi edhe Vaçe Zela. Mbas koncertit në drekën e organizuar, më takoi të ulesha në një tavolinë me Vaçe Zelën dhe Mentor Xhemalin. Përshtypja e parë
ishte mbresëlënëse. Vaçja e thjeshtë, e qeshur, e lirshme gjatë bisedës tregon emocionet, që i lindin sa herë që vjen në qytetin e Lushnjes. Isha dhjetë vjeç, -shprehet ajo,- kur nisa të këndoj këngët e bukura myzeqare, që i dëgjoja në shtëpi nga nëna dhe pjesëtarë të familjes. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjes, këndoja edhe duke mbushur ujë. Nuk do ta harroj ditën e parë të daljes në skenën e shtëpisë së kulturës , si një artiste e vogël e qytetit myzeqar. Me një fustan të bardhë, të qepur me dorë nga nëna, dhe zbathur dola për herë të parë në skenë. Nuk gjenin këpucë skene të vogla. Më lyen këmbët me shkumës të bardhë, në formën e këpucëve. Këngët popullore myzeqare dhe këngët qytetare nëpërmjet vokalit të saj të mrekullueshëm merrnin jetë dhe gjallëri dhe mbeten në fondin e artë të këngës shqiptare. Si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes emri i Vaçes është i njohur edhe tani nga brezat e rinj. Ajo ndjehej mirë dhe e lumtur, me gjithë sëmundjen e saj, sa herë dikush kujtohej dhe vlerësonte punën e saj. Me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së këngëtares Vaçe Zela,
megjithëse ndodhej në Bazel të Zvicrës, nxënësit e klasës së VIIl, “Shkolla Kuqe”, Tiranë i uruan
ditëlindjen. Këngëtarja u emocionua kur dëgjoi në kor zërin e nxënësve që e uruan me këngën “Shumë urime për ty, shumë urime për Vaçe Zelën. Ajo e mallëngjyer u dërgoi përqafime të zjarrta dhe shprehu mallin për atdheun. I falënderoi dhe i uroi suksese duke i përgëzuar për urimin. Ishte korrekte dhe asnjë herë nuk krenohej për talentin dhe suksesin e saj. Për çdo këngë. Më kishte rastisur që në disa aktivitete artistik kombëtare, të takoja dhe Vaçen. Ajo asnjëherë nuk dukej në dyert e ministrisë për asnjë problem që mund të kishte. E konsideronte veten njësoj si këngëtarët e tjerë me të cilët punonte në Teatrin e Operas dhe të Baletit. Por kishte dhe momente , siç shprehet kompozitori Limoz Dizdari, që nuk pranonte të këndonte këngën e caktuar në festival nëse nuk realizoheshin kërkesat e saj për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Ky moment u shfaq me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Ministria e Arsimit dhe Kulturës u njoftua se do të merrte pjesë në këtë përvjetor edhe udhëheqësi i partisë. Në mbrëmje gjatë darkës ishte përgatitur edhe një koncert. Do të këndonte edhe Vaçe Zela. Në pritje për të kënduar ajo me një mendim të prerë, refuzoi të dalë. Parafytyroni momentin kur udhëheqësi kishte përpara programin dhe nuk do të dilte Vaçja.?! Menjëherë titullarë të ministrisë u lidhën me të shoqin, Pjetër Rodiqin. Përgjigja e tij ishte e qartë:- Kur vendos për diçka është vështirë
t’ia prishësh mendjen. Një nga drejtuesit kur i erdhi radha për të kënduar e mori dhe e shtyu me forcë në sallë. Në shpirt ishte thellësisht humane dhe demokrate në mendime. Mbase kundërshtimi i saj ishte një guxim prej intelektuali. Me këtë veprim mund të ketë shprehur ndonjë revoltë të brendshme, që shpërtheu në një moment mjaft kritik për të dhe për drejtuesit e ministrisë. Kjo ishte Vaçja dhe, jo njeriu i bllokut siç është shprehur dikush në një emision televiziv. Ajo kishte një talent të lindur. Shumë pak këngëtarë në botë e kanë një shtrirje të zërit një oktavë e gjysmë me një larmi të pafund jonesh e frazash. (siç shprehet pedagogia e kantos Shqipe Zani). E pra këtë fat e kishte pasur dhe Vaçja, por ishte e detyruar, si të gjithë këngëtarët e tjerë, të mos e shoqëronte këngën edhe me emocione të fuqishme që i jepnin vargjet. Në një turne në Rumani në vitin 1973, tregon L Çoçoli, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dha një koncert në kryeqytetin e Rumanisë, në Bukuresht. Salla ndiqte me indiferentizëm koncertin. Ndryshuam programin. Ajo me kitarën e saj fillojë të këndojë këngë spanjolle, italiane dhe amerikane, që i kishte mësuar “vjedhurazi”nga radio. Salla u elektrizua dhe duartrokitjet nuk pushonin. Kjo ishte Vaçja, prandaj ajo është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë.
Në një seminar kombëtar për kulturën organizuar në Lurë, merrnin pjesë disa këngëtarë. Sapo kishte filluar pranvera, lulet kishin çelur aty-këtu. Vaçja përkulet dhe këput disa lule.-Sikur të isha në Tiranë do t’i vija në tavolinë, shprehet ajo. -Çdo mëngjes nuk harroj të vendos një lule të freskët në tavolinë. Vjehrri (me origjinë suedeze) e merr dhe në kujtim të gruas e vë pranë fotografisë .Një humanizëm dhe mirësi kthyer në ritual të përditshëm i jepte qetësi shpirtërore dhe mirënjohje babait të Pjetrit . Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike i këndoi jetës dhe vendit të saj. Zëri i saj i fuqishëm dhe i jashtëzakonshëm gërshetohej me mençurinë dhe te njerëzit ngjallte ndjenjën e shpresës, në një sistem diktatorial. Një zë vërtet i jashtëzakonshëm që gërshetohej me mençurinë i përdori në mënyrë të shkëlqyer, prandaj vazhdon të jetë një figurë mbarëkombëtare e këngës shqiptare. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacion:” Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“
Këngët e vendit tim
Ju vini që nga larg,
Këngët e pastra të vendit tim. Me mall në zemra,
Derdhni dashurinë. Tek ju halle plot,
Por gëzimi hodhi shtat, Edhe jeta ngjitej lart.
O këngët e vendit tim! O këngët tona!
O këngë rinore! Si një pranverë,
Bleroni ju gjithmonë.
O këngët tona!





















