Kryebashkiaku Veliaj: Bllok model në Kodër-Kamëz; do rehabilitojmë 100 lagje të Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi dje punimet për rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Kastriotët” – “Gramozi” – “E.Balshajve” – “Ramadan Citaku”, në Kodër Kamëz, i cili prej 30 vitesh ishte lënë në harresë. Kryebashkiaku tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe falë ritmit të mirë të punës, vjeshta do të na gjejë me një bllok model.“Para pak muajsh këtu përuruam shkollën “Isa Boletini”, e cila kaloi me një turn; një shkollë model për Njësinë 11. Atë dinë banorët na thanë: ‘Shumë mirë që e bëtë shkollën, por ne duam rrugë, asfalt, kanalizime e ndriçim’. Arsyetimi ynë atëherë ishte; në fillim bëjmë shkollën sepse kush ka dije dhe kulturë, di të bëjë edhe rrugë. Më vjen mirë që e mbajtëm fjalën për të dyja. Për Kodër-Kamzën ka 30 vite që dëgjojmë: ‘Kur do rregullohet?!’ Shumë cinizëm, skepticizëm, dyshim. Jam shumë i lumtur që jemi rrugë të mbarë dhe vjeshta do të na gjejë me një bllok model”, – theksoi kryebashkiakuVeliaj.


















