Si një lëndinë më bëhet rruga,
pa baltë, pa gurë e pa gjëmbaçë.
Me krahë hapur më priska Struga.
Me mjaltë flake prag më prag.
Pa zbresin yjet ndë gji të fushës
rinia vjen në këmbë e duar.
Po ç’jeni ju, lejlekë të Strugës
që prishni gjumin e trazuar??
Si mal me tinguj lartoj brigje;
nga Shën Naumi vjen shenjtëria.
Në brinjë të ëndrrës ngjitem, ngjitem,
mbi krahë lejlekësh ndrin magjia.
E mbytem krejt në thellësi
e përgjak duart ndër shkëmbinj;
te bar i virgjër prek fëmijëri.
Në sqep lejlekësh pres një agim.
Kërkoj, kërkoj lejlekë Struge
Me shpirt të ngrohtë, të përmalluar
kurorë me valë hedh mbi supe
kudo ku hap një derë me duar.
E shoh tek puthen sqep më sqep
kur drita del në Mal të Thatë.
E thurin vjershë me bojë të blertë
e krahët –o ua rreh një fllad.
Rizgjoj pa fund lirika shelgjesh;
rizgjoj dhe shpirtin lasgushian.
Po ndalni pak, o krahë lejlekësh
më merrni vargun e zgjoni mall!
Herë vajtimtar e herë lumturuar
në këngë lejlekësh lexoj një libër.
Ndë kallamishte si zog i zgjuar
jam bërë si sfinksi i rilindur.