I ndryshkur kyçi i një porte,
nga vitet që s’jeton njeri.
S’i njihen nazet kësaj bote
dhe malli s’paska pas kufi.
Më ziliqarja kishte qënë,
ndërvite priste dhe përcillte.
Tani pse vetëm e kanë lënë,
këtë kala që diva rriste.
Dhe trarët kalbur s’di si mbahen,
ndoshta e kanë ndonjë sekret.
Gurët e saj gati të çahen,
nuk di se nga kush urdhër pret.
Pikojnë lotët si strehë çatie
dhe zemra dhemb në thellësi.
Jo kësaj jete nuk i dihet,
është mirë të vdesësh si njeri.!
Të kujtoj
Të kujtoj, s’e di dhe ti,
atë ditë gjelbërimi.
Si rreze flije në sy,
përmbi mal si perëndimi.
Më kujtohet nuk flas kot,
lëndina me lule shqerra.
Një petale, ah o Zot,
më dehu më shumë se vera.
Ajo lule më kujtohet,
varur gjoksit si një pjergull.
Pa të zor se mund të rrohet,
e gjithë jeta kthehet mjegull.
Nëpër erë pikonte vesa,
ikte nata pa sinjale.
Na përgjonte debulesa,
si fallxhorka, kur hedh falle.
Ndosha ti a ndoshta unë,
rrimë kujtojmë ëndrrën tonë.
Lëndina kujton më shumë,
e ngreh zërin si jehonë.
Ja këto quhen gëzime,
kthimi prapa nëpër mote.
Tani të flas me rënkime,
siç më puthje ti zotrote.
Të kujtoj,s’them gjë për ty,
sa herë prek një lule shqerrë.
Krejt pa pritur lind në sy,
një lëndinë me gji plot verë!





















