Në Progonat
kisha nënë dhe babë,
kisha shtëpi prej guri,
një arrë që shkundej nga era vjeshtrave të vona…
Kisha ara në mal,
e pemë nëpër trollin e trashëguar,
kisha vëlla e motër.
Aty mësova të gjitha fjalët,
aty mësova
çdo të thotë
që qielli të të bëhet re,
e loti i mëmës shiu që bie.
Jeta është e çuditshme:
Një pulëbardhë gri!
Të rrëmben,
zogu i fatit quhet,
nuk e zë gjyqi i gjakut,
as e ngurta e malit,
ku unë doja t’i bëhesha eshtër,
për të qënë mirë aty
ku ishte Mëmëdheu…
Si një re që po kthehet;
tanimë jam në një lumë të ajërt;
ku ditët e coptuara mbartin kujtimet dhe etjet
mbi male të pavdekshëm,
që mbartin
Fjalën e Vetme me kuptim
të jetës:
Atdhe!