Fjalët, mendimet, idetë, takimet e në tërësi tërë aktiviteti i jetës, po qe se nuk hidhen në letër ashtu si janë, si të vijnë në mendim e veprim, me kalimin e viteve ato harrohen nga vet ai brez, por më e keqja, nëqoftëse nuk u lë brezave të mëpasëm asnjë gjurmë të tyre, atëhere edhe ato pak gjëra që mund të trasmetohen, do të jenë të cunguara duke arritur edhe në deformime e shtrembërime të fakteve e ngjarjeve. Ndaj, ishte dëshira e mirë e të dy familjeve tona, Koçerri dhe Sollomoni që këtë lidhje miqësore e familjare mes nesh, me fakte e ngjarje konkrete, t’i hidhnim e përshkruanim në një libër: – E para për të mos u harruar, dhe ajo ç’ka është më e rëndësishmja në shenjë respekti për prindërit tanë, të cilët e lidhën këtë miqësi dhe që sot ata kanë ndërruar jetë ne po e forcojmë amanetin e tyre. Po qe se nuk do të bëhej nga ne, brezi që jemi, bijtë e atyre që e krijuan këtë miqësi, nuk e them me bindje se nuk mund të bëhej nga brezat e mëpasëm, por do të ishte jo e plotë, pasi ne, të dy palët i kemi njohur e jetuar me prindërit tanë ata që e lidhën, ata që vunë gurin e parë në këtë miqësi, ndaj, i vumë vetes detyrë, unë dhe Samiko Sollomoni, që të hidhnim në letër ato ç’ka dinim.
Pak histori për dy familjet tona dhe si u krijua lidhja mes tyre
Jakup Koçerri, gjyshi im, lindi më 1887 dhe ka vdekur në vitin 1957. Pas shumë vitesh emigrimi në Argjentinë ai kthehet në Shqipëri. Me paratë që kishte mbledhur dhe me ato ç’ka kishte parë dhe mësuar nga bota e zhvilluar, vendosi të investojë në blerje pronash dhe të marrë tokë me sipërmarrje. Para vitit 1939, ai së bashku me djalin e tij Kasëm Gjysh Koçerri, marin me sipërmarrje në fshatin Beshisht të Vlorës disa dhjetra hektarë tokë të cilat i punonin dhe paguanin rregullisht taksat e shtetit. Para çlirimit të Shqipërisë, në afërsi të qytetit të Vlorës, blejnë 25 hektar tokë arë dhe ullishte dhe organizuan punën për vënien e tyre në prodhim. Aktiviteti tregëtar i familjes Koçerri me produkte bujqësore e blektorale në qytetin e Vlorës si dhe nevojat e tyre për blerje artikuj dhe shërbime të ndryshme, bëri të mundur lidhjen e miqësisë me familjen Sollomoni, që banonte në qytetin e Vlorës dhe merreshin me tregëti.
Kjo miqësi me ardhjen e pushtuesve gjerman në tetor 1943, u forcua edhe më shumë. I pari i familjes së Sollomonëve, ju drejtua të parit të familjes Koçerri si mik, për ta ndihmuar e për të shpëtuar fëmijët, të cilët rrezikoheshin nga masakra gjermane ndaj tyre. Jakup Koçerri, së bashku me djalin e tij Kasëm Gjysh Koçerri, morën në përgjegjësinë e tyre për t’i strehuar në fshatin Beshisht (deri sa u çlirua Vlora), djalin dhe nusen e Jakov Sollomonit, Mojze dhe Zhaneta Sollomoni, duke u siguruar në radhë të parë jetën, si dhe ushqim dhe fjetje sipas mundësive, pa as edhe një shpërblim. Tashmë, ne kemi krijuar edhe lidhje e miqësi me njerëzit që Jakup e Kasëm Gjysh Koçerri kishin miqësi dhe mbështetje në Beshisht gjatë kohës që ata strehuan dy hebrejtë në shtëpinë e tyre. Këtu, do të theksoja patriotin Dulo Shurdhi nga Bolena e Kurveleshit, ku dera e kësaj shtëpie sot mbahet e hapur dhe mikpritëse nga djali i tij Myrto Shurdhi. Familja Koçerri, nuk mori parasysh rrezikun që i priste për jetën e tyre, në rast se ata do të zbuloheshin nga ushtria gjermane. Jakov Sollomoni lindi më 1883, në Janinë dhe vdiq më 1946. Ai u martua me Eftimi Kantozi në qytetin e Vlorës, lindur më 1891 dhe vdekur më 1982. Ata kishin 4 djem dhe një vajzë, Ilia, Neti (e cila në moshën 22 vjeçe ndërroi jetë), Mojzia, Minushi dhe Loni. Jakovi, pasi u vendos në qytetin e Vlorës punonte këpucar dhe ishte në gjëndje të vështirë ekonomike. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Jakovi së bashku me djalin e tij Mojzen, u morën me tregëti. Me dyqanin që kishin në qendër të Vlorës te byrektorja, ekonomia e tyre filloi të rimëkëmbej. Ekonomia e tyre e mori veten edhe më mirë kur filluan tregëtinë me stofra që u vinin nga Italia dhe Anglia, duke u bërë kështu një nga dyqanet e fuqishëm në Vlorë.
Me çlirimin e Shqipërisë, nga pushteti i ardhur në fuqi, papritur një ditë malli ju muar pa i lajmëruar e pyetur. Një makinë e tërë u mbush me topat e stofrat angleze. Në këmbim të mallit një person i armatosur u dha një letër duke ju thënë, kur të kemi do t’u japim para. Pas kësaj që ndodhi me dyqanin, nga marazi dhe stresi, Jakovi u sëmur dhe e çuan në Jugosllavi për kurim, por nuk mundi ta kalonte dot sëmundjen ku edhe vdiq, dhe u varros në Beograd. Pas kësaj, gjendja ekonomike e familjes Sollomoni u shkatërrua. Me shumë punë ajo filloj të përmirësohej kur Mojzia me bashkëshorten e tij Zhanetën hapën dyqan rrobaqepsie në Vlorë, në fillim me riparime e më pas u fuqizuan duke marëë edhe dy djemtë e xhaxhait si rrobaqepës.
Si vet Jakovi, ashtu edhe djali me nusen e tij Zhanetën, si dhe gjithë familja Sollomoni ishin dhe janë mirënjohës për atë ç’ka bëri familja Koçerri për ta. Marrëdhëniet miqësore e familjare midis tyre vazhduan rregullisht deri sa familja Sollomoni, me ndërrimin e sistemit në vëndin tonë u larguan për në Izrael. Para 3-4 vitesh, këto marrëdhënie u ngritën në atë nivel që ishin më parë. Këtu, do të përmendja interesimin e Samiko Sollomonit, djali i Mojzes, për t’u lidhur me familjen tonë dhe gjallërimin e këtyre marrëdhënieve. Ai u interesua në Muzeun e Holokaustit në Yad Vashem në Jeruzalem që edhe babai jonë, Kasëm Gjysh Koçerri, të hynte në listën e 74 familjeve shqiptare që njihen sot nga Izraeli si shpëtimtar të hebrejve në Shqipëri. Me ndërrimin e sistemit në vendin tonë, me ardhjen e demokracisë, u bë e mundur vlerësimi i kontributit të familjes Koçerri ndaj hebrejve në Luftën e Dytë Botërore, si nga shteti shqiptar ashtu edhe ai Izraelit.