Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

313
Sigal

Peizazh jugor

E zuri reja Llogoranë,
Për faqe, s’e lëshon.
Me erën pika shiu vanë,
Gjer poshtë, te bregu Jon.

E bredhat nisën të vallzojnë,
Mbërthyer me ullinj.
U fshehën zogjt nën strehën tonë,
Gjinkallat në qetësi.

E tundu-shkundu këta ullinj,
Si t’ishin balerinë.
S’di ç’po shikonin sytë e mi:
Peisazh apo vegim?

Mbi supe pika shiu ranë,
Nis era të buisë.
I mbyllëm çadrat, brënda vamë,
Me freskun mbi kurriz.

Po dielli reve u shpëtoi,
Anuar përmbi det.
Ca rreze si shigjetë lëshoi,
Ia puthi faqet qetë.

E dalim. Çadrat hapen prap,
Ky deti si pasqyrë.
Na lidhin rrezet në çdo hap,
Kemi ndryshuar ngjyrë.

Nuk ndërrohen këto ditë këtu,
Me muaj nëpër botë.
Gjithçka lëviz mbi një skenë blu,
Të kemi afër Zot.

Me krahë dallgësh

Më lindi deti me krahë dallgësh
E qiellit u lëshova.
E ndonëse qielli zjente flakësh,
Durova se durova.
Një ditë ashtu me dhimbje plagësh
Në gjirin tënd u shtrova.
E ti ç’nuk bëre të më ngjallësh,
Ndaj kurrë më s’u largova.

Dhe sytë e tu më pyesnin shpesh,
Përse kaq shumë të doja?
Ndërkaq të mitë ndriçonin flesh
Dhe heshtas sikur thoja:
S’do të rronte gjatë frymë dashurie
Pa patur butësinë tënde.
Pa përqafimin prej hyjnie,
Pa puthjen dhënë me ëndje.