Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Koçiu: Besnik Mustafaj feston 65 vjetorin e lindjes me një roman të ri, “Fati i marrë”

35
Sigal

Eshtë bukur të shohësh sesi një (ish) politikan investohet në pasionin e qëndrueshëm, të shkruarit. E akoma më bukur të festosh 65 vjetorin e lindjes me një roman të ri, “Fati i marrë”.

Teksa dëgjoja komentet për botimin e ri, mendoja se njeriu vërtetë mund të ketë pasione të tjera, e të forta, edhe përtej politikës! Besnik Mustafaj ka spikatur jo pak edhe në diplomaci. Në fakt njohja familjare me të daton pikërisht në vitet 95-96, teksa atëherë, ambasador i Shqipërisë në Francë, investohej energjikisht t’u tregonte vendin tonë miqve të tij francezë.

Si gazetare e kam ndjekur si politikan, si një zë i urtë brenda Partisë Demokratike, por edhe si ministri i jashtëm (2005-2007), që futi konceptin e diplomacisë ekonomike. E kam parë e dëgjuar të mbronte në Moskë (2006) të drejtën e Kosovës për të qenë e pavarur, nën vështrimin jo fort të kënaqur të mikpritësit të tij, ministrit të jashtëm Sergej Lavrov…

Dhe kur një diplomat/politikan “lodhet”, i rikthehet pasionit të hershëm, të shkruarit, për fatin e gjithë dashamirësve të veprës së tij, që ishin të shumtë sonte për ta nderuar. Shkrimtari që dominon tashmë politikanin e diplomatin, dukshëm e kishte fituar sfidën e tij, që është e çdo autori mendoj prej vitesh tashmë: merakun për të arritur lexues, më parë se botues.

Félicitations cher ami et bonne inspiration pour de nouveaux projets!