Suplement Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Kamerieri deputet

653
Ata ishin dy kamerierë të bar-restorantit kryesor të qytetit provincial. Bimi dhe Elda kishin zënë vend në një nga bankat e fundit të klasës, ku kryenin vitin e fundit gjimnaz të shkollës së mbrëmjes. Ndryshe nga disa mistrecë të rritur, që i shtynin orët me muhabete e karagjozllëqe, kamerierët e fejuar qëndronin krejt të heshtur në skajin e tyre fundor. Buzëqeshnin ëmbël, kur u drejtoja vështrimin dhe putheshin ndonjëherë, kur i kisha sytë larg tyre. Mua më kishin caktuar me detyrim të jepja mësim letërsie në klasën e tyre, pa shkëputje nga puna, sepse disa të tjerë kishin nxjerrë lloj-lloj arsyesh për të mos punuar me ta. Por arsyeja vërtetë ishte se, mësuesit nuk çanin dot me kokat e gdhenjve, të ulur nëpër banka, sa për të marrë një dokument shkolle.Bimi dhe Elda ishin shtyrë nga viti në vit me pesën mëshirëmadhe, vetëm sepse ishin të urtë. Ndryshe nga disa zevzekë pëshpërimash gjatë orës së mësimit. Thuhej mes mësuesve, se një kope me lepuj mund ta bëje zap shumë më lehtë, se një klasë me ronxhobonxho të tillë, që shpërthenin papritmas në të qeshura, për budallallëqe krejt të kota dhe të shkatërronin mësimin.”Shekspiri” tha njëri, që nuk e kishte mësuar mirë emrin e Shekspirit të madh të letërsisë angleze dhe hajde t’i mbaje bubullimat e gazit të tyre që nuk ndaleshin, deri sa ra zilja, pa arritur të shpjegoj mësimin e ri. Le të ishin të rritur në moshë, ata sapo uleshin në banka, bëheshin njësoj si kalamajtë. Bimi me Eldën kishin të keqen tjetër, në trurin e tyre rrëshqitës, si xham i pjerrët, nuk zinte vend asnjë pikë uji, nga tërë ato kova me lëndë mësimore që zbrazja mbi ta. Kur e thërrisja të ngrihej në mësim, Bimi, i mbushur me katra, më thoshte pa lëvizur nga banka: “Vëre katrën, profesor!”. Dhe arrita deri aty, sa t’i thosha: “Mëso pesë vargje ose pesë rreshta, të marrësh një pesë!” Pra, një lëshim ky, në kontrast të madh me nxënësit e ditës, nga të cilët kërkoja analiza ideoartistike të thella. Elda, disi më ndryshe, mundohej të nxirrte pak fjalë çalamane e të mangëta, sa për një pesë gjysmake. Erdhi dhe fundi i vitit, kur duhej të mbyllja regjistrin e klasës së tyre. Kisha vendosur që Eldën ta shty nga halli, për të mos lënë shumë mbetës në atë klasë, kurse Bimin ta lë përsëritës për vitin tjetër. Ai e dinte mirë gjendjen e tij me shtatë katra në regjistër dhe teksa po dilja nga klasa erdhi më tha: – Ke vendosur të më lësh, profesor? – Po të të kaloj ty, që i ke duartrokitur katrat publikisht e me zë të lartë, duhet të mos lë asnjë tjetër, që ma ka sjellë shpirtin në majë të hundës. – Po unë s’të kam bërë fare zhurmë, profesor?… – Për qetësinë tuaj të lavdërueshme si çift, do kaloj Eldën. Ti mëso për vitin tjetër pesë vargjet apo pesë rreshtat, që të kam thënë disa herë. – Ju nuk jeni aq zemërngushtë, sa thoni, profesor!… – Nuk është punë zemre, po punë fjale, se ke thënë me gjëmim “Vëre katrën!” dhe tani ajo s’më lejon të lë asnjë tjetër në klasë, po të kalova ty. – E ke gabim që më lë, – tha qetësisht, – Një copë pesë për mua, nuk do përmbytë botën… E vështrova mendueshëm me keqardhje.- Po mirë, more Bim, ta zëmë se të fal një pesë dhe ti e mbaron këtë hall, po si do çash ti në jetë pa dituritë më elementare që të nevojiten? – Kismet, si të jetë thënë… Unë nuk do bëhem profesor si ju, do çoj pjata dhe lugë te klientët nëpër tavolina… – Mirëpo, do vijë dita që kamerieri duhet të jetë, jo vetëm i arsimuar, po duhet të dijë edhe gjuhë të huaj, – ngulmova ta bind.- Eh, o profesor, për një copë gur të shtrembër, siç jam unë, do ketë vend diku në ndonjë mur, sa të mos rrokullisem të më marrë lumi! Këto fjalë të dhimbshme të dala nga një mendje fukarai më bënë të mendohem. Ai iku i mërzitur dhe më dërgoi të ëmën, që kishte muhabet me time shoqe. Ajo m’u qep e më mbërtheu keqas. – Po, Bimin tim që e kam rritur me kothere, do lësh në klasë ti, o goxha profesor, që po të mbaj në gojë tek të tërë, si floririn e të gjithë mësuesve!? – O, ho, ho, leri këto lëvdata të kota, se do ta shoh edhe njëherë atë punë! – i thashë për ta hequr qafe. Dhe duke mos pasur mundësi të lë asnjë tjetër, i kalova të gjithë, duke i hedhur në kontingjentin jetësor, si dengje pa markë. Pas dy vjetësh, kishte ndryshuar sistemi shoqëror dhe me privatizimin e bërë në sektorin e tregtisë, Bimi me Eldën kishin marrë nga ndarja me punonjësit e tjerë, lokalin e brendshëm të bar-restorantit. Ata u bënë pronarë të ligjshëm dhe ndërtuan një banak modern në fund të sallës së madhe, ku bari i tyre filloi të tërhiqte klientë nga i gjithë qyteti. Bimi si kamerier dhe Elda e bukur si banakiere, i shtuan mjaft të ardhurat, blenë frigoriferë të fuqishëm, pajisje e komoditete pune, furgon furnizimi dhe një veturë për argëtimet e tyre familjare. Duke dalë kësisoj në krye të konkurrencës mes lokaleve tregtare. Teksa isha duke zbritur nga shkolla me çantën time të punës në dorë, Bimi para derës kryesore më pikasi. Futi kryet një çast brenda, diçka i tha së shoqes te banaku dhe më thirri entuziast:- Të lutem, ktheu një minutë, o profesor! Nuk ia prisha qejfin, më tepër se u bëra kureshtar përse më donte, tani që s’kishte aspak nevojë për mua. Hyra brenda dhe kur vura re përzemërsinë, me të cilën më ftonte, duke më marrë për krahu të ulesha te njeri nga kolltukët e rehatshëm, qëndrova së fundi përballë tij. Ai i bëri shenjë gruas dhe ajo solli menjëherë një tabaka të madhe me birra dhe meze të bollshme.
– Ti je rob zoti, o profesor! Ne të dy me Eldën nuk e harrojmë kurrë të mirën tënde. Tani mos na e prish qejfin të pimë ndonjë birrë për shëndetin tënd dhe te na urosh, se na ka shkuar puna fjollë me këtë lokal! Mbeta pa fjalë. Ngrita gotën që ma kishin bërë gati dhe u thashë: – Hajt, u priftë e mbara dhe me fitime të tjera më të mëdha në të ardhmen! Më bëhet qejfi, që e paskeni rregulluar jetën tuaj për bukuri, me punë! – Faleminderit shumë, – tha ai me një shprehje plot respekt në fytyrë. – Po edhe një fjalë du me ta thanë, o profesor, se më ka ngelë merak kur më ke thanë: Si do çash në jetë ti Bim, që nuk mësove asgjë në shkollë, e unë të thashë, kismet, o profesor. A e shef tani, ti me alamet diplome profesori, s’ke pare të hysh në lokalin tim të pish një birrë me gruan. E mua tani s’më mungon asgjë prej gjëje! E kundrova qetësisht, tek ata sytë që i shkëlqenin nga euforia dhe i thashë: – Kjo është koha jote, o Bim, koha ime ende nuk ka ardhur !…Nuk di nëse më kuptoi saktë, ku e kisha fjalën, por di se ai e përdori dhe e shfrytëzoi në maksimum kohën që kishte në dispozicion. Kaluan disa vjet. Unë ika në kryeqytet, besnik i profesionit dhe pasionit tim. Dhe Bimi me atë copë pesën, që i fala atëherë, nuk u bë profesor. Por se si u ngjit deri deputet në parlament, se si i rregulloi problemet e arsimimit, e di vetëm ai. Guri i tij i shtrembër nuk zuri vend në ndonjë mur të rëndomtë, siç kishte thënë, por në majën e kështjellës shqiptare. Ndodhi një ditë, i pashë rastësisht, si çift nga larg, kur zbritën nga benzi luksoz dhe hynë në një dyqan mode të Tiranës. Të veshur të dy me kostum të zi firmato. Bimi me kravatë të kuqe dhe këpucë lustrafine me majë. Elda me shall farfuritës dhe këpucë më taka të holla. Të dy me pamje të velur, sikur kishin zbritur nga një planet tjetër i rruzullimit. Unë me një qeskë në dorë, ku kisha blerë ca karota dhe presh, ika ca më larg tyre, për të pritur kohën time. Ndoshta vjen dikur…
Sigal