Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Ty s’të lanë diell,as qiell s’të lanë…

Ç’emër ka kjo dhimbja jote grua,

në komën ,ku asgjë s’të ngjall,

Sigal

nën delir zvarritesh zemërvuar,

gjysmë engjëll dhe gjysmë djall.

Zbret nga parajsa a ferri pastaj,

çan errësirën të gjesh një qiell,

qan si pulëbardha, me lotin e saj,

çan mugëtirën ku qesh një diell.

Ty s’të lanë diell,s’të lanë as qiell ,

por ti në gji,një rrip qiell mbanë,

me dritën e shpirtit krijon një diell

nga koma del si zog ëndërrimtar.

E ç’rëndësi ka si zoti të ka krijuar

dhe si të bëri të fortë,si shkëmb,

nëse në tokë engjëll të ka dërguar,

mjerë ai burrë që s’të bie nën këmbë…

 

AH, SIKUR TA DIJE !

 

Mbi ty një rreze bie,

një rreze lashtësie,

kur shpall duel zilie

tërhiqesh nazelie.

Dorëzohesh paqësive,

me fije afshi krihesh,

ndër fllade ekspresive,

gjer në deje shkrihesh .

Kur perëndimit fshihesh,

enigmatike ngrysesh,

hipnotizon ca syresh

dhe vet,si pisha digjesh .

Tretesh hënë nën yje,

sytë mbulon me nyje.

Ah,vajzë sikur ta dije,

sa misterioze gdhihesh !

Ndaj të thonë bozhure,

tek ecën rrëzon mure,

sa djem ke lënë nën hije,

ah,vajzë sikur ta dije! …

Mbi ty një rreze bie,

një rreze bukurie,

djemtë kanë vënë fash zije,

ah,vajzë sikur ta dije!…