Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Më lindi zana më e bukur e Ilirisë

197
Sigal

 

Më lindi zana më e bukur e Ilirisë

Nën qiellin puplor, me ngjyra vjeshte,

më lindi Zana më e bukur e Ilirisë!

Kërthizën ma lidhi me fije gjineshtre,

në buzë më vuri muzën e poezisë …

Flladi më përkundi në djepin e vjeshtës,

me ritmin e tingujve të lashtësisë.

Mes vegimeve ndjej ende, dirigjimin e erës,

simfoninë e ëmbël të ninullës mbi gjinj.

Teksa vjeshta hidhte vallen e gjethes mbi mua,

puthja e nënës, rridhte ujvarë mbi faqe.

Dyzet ditë dhe net me ëngjëj kam vallëzuar,

këtë valle hedh ende me ndonjë flutur nate.

Teksa shpirti lundron nëpër oazin e poezisë,

më ndjekin krakëllima korbash gjëmimtare.

Me rrezen diellore që më dha Zana e Ilirisë,

lundroj drejt tempullit të Safos legjendare.

Ah, kjo nëna ime, me pamje të perëndishme!

Fytyrën vjeshtake më përkëdhel si dikur,

më nxit të kapërcej dallgët e jetës, si zogu i stuhive,

pasardhësve t’u lë një emër të ndritur.

 

 

Më përkund ninulla e nënës

Krijuesi iu shfaq në ëndërr atit tim, e i tha ca fjalë:

Do ta shumoj farën jetësore, si yjet e qiejve!…

Atë natë, në trupin e nënës, u ngjiza unë, për fat,

si fara e premtuar në tokën e shenjtë të dishepujve.

Kur duart e krijuesit, i dhanë formë zemrës,

si hardhia zgjata lastarët e krahëve, drejt diellit,

rrënjët e shpirtit shtriva, në trupin pjellor të nënës,

shtriva rrënjë, të dhimbjes së tokës e të qiellit.

Të ndieja këngën e Orfeut nëpër dallgët e Hebrit,

sagën e tokës, që vinte nga thellësitë e misterit.

Dëgjova vargun naimjan, me tinguj të përmalluar,

vargun e Safos, që shushurinte, si të ish përrua.

Të ndieja frymën e nënës, që rinonte faqen e tokës,

të shihja sytë e saj blu, që i jepnin kaltërsi botës,

të shihja si hapte gonxhen në duart e saj një burbuqe,

si nxirrte sythe dega e tharë e çelte sërish lule.

Teksa kordoni i mishtë këputej, ndjeva të qarën time,

si gurgullima e kroit mbi buzët e një nimfe,

si cicërimën e zogut të dallëndyshes në fluturime,

si këngën e pranverës, që thërret lejlekët nëpër agime.

E mira nëna ime, e rilindura, nga dhimbjet e lindjeve,

më tundi në djepin e vjeshtës, me ninullë të magjishme.

E mira nëna ime, më e bukura perëndeshë e lashtësisë,

ende më përkund në djepin e gjoksit, ku kam pirë sisë.

 

 

 

Po nuk desha vetë, ti nuk më plak dot!

Mos më thuaj ti moshë, me zë të mekur;

se rrudhat ndër vite t’i kam ngrënë pa zë.

As ti, nuk më pyete, kur i pikturove qeshur,

e unë, me ujë petalesh, i fshiva një nga një.

Të kujtohet ç’më the një vit më parë?

Kur gjethet të bien prej flladit vjeshtak,

do filloj të vjeshtojë kaçurrelat në ballë

dhe së shpejti, pak nga pak do të plak…

Dhe erdhe sërish të vjeshtosh mbi flokë:

Oh, sa u trishtove, se s’vjeshtove dot!

Zbrite nën qerpik, qëndise rrudhë të fortë,

për pak vjeshtë të artë ka lezet kjo moshë.

Por ti ke një të keqe, e s’ndërron zakon,

po rrudhose shpirtin, s’të ndal as i madhi zot.

Dhe unë e di, ti do vjeshtosh e dimërosh,

por, po nuk desha vetë,ti nuk më plak dot!