Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo; Mbaj mend si lulëzon një grua në prill

559
Sigal

Mbaj vesh si lulëzon një grua buzëmbrëmjeve në prill,
mbaj vesh këngën e bilbilit ,strehëve nën gushë,
frymëmarrjen e sythit që të rrëmben me të ëmblin trill,
ekstazën dehëse,që turbullon më të egrin burrë.
Mbaj vesh gurgullimën,që rrjedh në luginën e gjinjve,
kristalet e qumështit,kur rrokullisen mbi kërthizë,
flladin përvëlonjës në kreshtën pjellore të pëqinjve,
vullkanin që rri në pritje,të ndizet nga një puhizë.
Mbaj vesh rigëtimat e dënesat sikur po jep shpirt,
kur e përkëdhel buza zjarrmuese e një burri,
mbaj vesh si e ndez urinë për burrë me të sajin flirt,
si hap gonxhen diellore dhe përpin burrin me furi.
Mbaj vesh fëshfërimën erotike në çastin e ngjizjes,
farën mashkullore,kur thyen vezoren e jetësisë,
qelizat që shkrihen në këtë alkimi çastesh të përtëritjes,
ku shpirtrat vdesin e ngjizet krijesë e përjetësisë.
Mbaj vesh dhe mos pengo lulëzimin e një gruaje,
dashurohu me tingujt,që përcjell galaktika e saj,
adhuroje teksa lëngon dhe lulëzon nëpër vuajtje,
kur shtrydh lotin e dhimbjes,pa patur asnjë faj.
Mbaj vesh si lulëzon një grua buzëmbrëmjeve në prill,
si zhvesh sythet butësisht,siç zhvishet një burbuqe,
si përpiqet të kundërmoi çdo fllad, me të ëmblin trill,
kur vë në gjumë universin dhe e përkund nëpër muzgje.