Filmi lind tri herë: Së pari në letër, pra në skenar. Së dyti gjatë xhirimit. Së treti në tavolinën e montazhit, që është lindja përfundimtare. Kinematografia jep një figurë artistike të realitetit, të dallueshme nga realja. Realisht në jetë nuk ka plane të afërta të syve të aktorit as përmasa mbireale, as detaje të caktuara të dhëna nga krijuesi. Kamera nuk është syri i njeriut, pavarësisht se u ndërtua në bazë të principit të irisit të syrit njerëzor. Me kamera mund të shikosh më shumë se sa me sy dhe më shpejt, pasi në kamera fiksohen imazhet më shpejt.”Të gjitha aspektet e sendeve, qënieve dhe shpirtrave e shtojnë cilësinë e tyre morale nëpërmjet riprodhimit kinematografik” do të thoshte Delyk, në “Gjuha e filmit”. Është e nevojshme të mësojmë të lexojmë një film, të deshifrojmë kuptimin e figurave, ashtu si deshifrojmë kuptimet e fjalëve dhe koncepteve, mund të kuptojmë hollësitë, imtësitë e gjuhës së filmit. Veç kësaj kuptimi i figurave mund të ndryshohet dhe si pasojë mund të bëhet i diskutueshëm ashtu si ai i fjalëve, prandaj mund të thuhet që për çdo film ka aq interpretime sa spektatorë. Figura mund të manipulohet dhe interpretohet në disa kuptime, në varësi të perceptimit dhe shkallës së dijeve të shikuesit. Figura filmike vepron me forcë të madhe nga pikëpamja estetike. Lloji i madhësive të ndryshme të planeve, përdorimi i kolonës zanore, mënyra e ndriçimit, lëvizjet e aparatit, këndet e vështrimit, vendosjes dhe zhvendosjes sw personazheve në hapësirën vepruese, janë padyshim vendimtare në gjykimin estetik të filmit. Ky pushtet artistik i filmit ka nevojë për pjesëmarrje të gjerë kolektive të disa komponentëve. Magjistarët e ekranit kanë privilegjin e madh, sepse përmes qëndrimeve të tyre përpunojnë mendjet dhe shpirtrat njerëzor duke u dhënë atyre gjithnjë emocione dhe kënaqësi estetike të veçanta.




















