Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Grua, mos lejo askënd të shkarkojë rrufetë e zemërimit mbi ty!

21
Sigal

Sot jam zëri yt, o grua që fsheh lotin e dhimbjeve të shpirtit në cepat e syve. Jam zëri yt, o grua që proteston në heshtje për të gjitha padrejtësitë që të janë bërë në jetë, për dhunën fizike dhe psikologjike, që kanë ushtruar mbi ty egërsisht. Jam klithma rrëqethëse e vajzave dhe grave rozafa të murosura me thikë në zemër. Dëgjojeni ulërimën korale që vjen nga thellësitë e tokës, është mesazhi më i fuqishëm që trondit themelet e kombit dhe thërrmon qiejt e ndërgjegjes njerëzore ! Sot jam loti drithërues i grave ukrainase dhe palestineze që po iu shuhet kandili i jetës nga predhat vdekjeprurëse të dreqërve të zinj, dalë nga skutat e territ. Sot më loton zemra për të gjitha ato gra që kotheren e tharë të bukës e lagin me lotin e dhimbjes, për të mbajtur gjallë foshnjat e gjirit. Me trazohet shpirti mëmësor për të gjitha ato vajza që mëngjeseve kërkojnë të thithin bulëzën e vesës, për të ndjerë aromën e agimeve të lirisë së munguar. Sot më drithëron shpirti për të gjitha ato nëna, që presin me sytë në përgjim nga pragu i thinjur, i pashkelur prej kohësh nga fryma e bijve e bijave, të harruar nëpër udhët e mërgimit. Unë besoj në Zot, besoj lotin që ulërin në shpirtin e një gruaje, më pikëllon e revolton pellgu i gjakut të gruas që masakrohet barbarisht, si të mos jetë krijesë njerëzore. Ndaj sot, ty, o grua e dhunuar të them se, në fund të tunelit të errët ku ke rënë ekziston një shteg me dritë. Përpiqu të ringrihesh nga koma e dhimbjeve të pamata, gjeje shtegun e dritës edhe sikur zvarrë të hiqesh. Dhe kur ta gjesh atë shteg, rrëmbeje dritën e jetës dhe vendose në sy, të shohësh jo vetëm thesaret që ke brenda shpirtit , por edhe bukuritë e jetës që të janë mohuar padrejtësisht. Grua, zemra jote vigane pulson për familjen dhe për mbarë njerëzimin, sepse Zoti të bëri, si Nereida e pavdekshme Tetis , të la në dorë fatin e njerëzimit e të gjithësisë. Kujdesu për veten, të çelësh së brendshmi petalet e lules së jetës se, ti je palca në eshtrën e universit!

Grua, kundërshto dhunën me energjinë e fuqishme të dashurisë që shkatërron shkëmbinjtë e urrejtjes njerëzore !