SafeJournalists: Dënojmë mesazhet kërcënuese me jetë ndaj gazetarit Isa Myzyraj në Shqipëri

22
Sigal

Rrjeti SafeJournalists dënon emailin kërcënues me jetën dërguar Isa Myzyraj, gazetar në Ora News njëherësh aktivist i të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Ky incident alarmues ndodhi më 12 mars 2024, kur z. Myzyraj dhe punëdhënësi i tij morën një email të mbushur me përmbajtje urrejtjeje, antisemite dhe homofobike, me qëllim që ta frikësonin dhe cenonin integritetin e tij gazetaresk. Veprime të tilla paraqesin një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve dhe aktiviteteve që trajtojnë me guxim çështje kritike të të drejtave të njeriut.

Isa Myzyraj, në përgjigje të kërcënimit, tha se “Gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve dhe aktivistëve sigurisht që ushqehet nga personazhe që kanë gjetur hapësira si në mjedise publike ashtu edhe në media. Pasoja e drejtpërdrejtë e fushatave të shpifjeve dhe dezinformatave nga grupet ekstremiste janë këto kërcënime shumë shqetësuese jo vetëm për mua, por për të gjithë aktivistët e të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

Rrjeti SafeJournalists solidarizohet me z. Myzyraj dhe të gjithë gazetarët që përballen me kërcënime të ngjashme. Kërcënimet me dhunë, qofshin ato online ose offline, kanë një efekt zbehës në fjalën e lirë dhe mund të çojnë në autocensurë, e cila është e dëmshme për të drejtën e publikut për informacion. Kur këto kërcënime janë të lidhura edhe me gjuhë homofobike dhe antisemitike, kjo nënvizon ndërsektorialitetin e çështjeve në fjalë. Ne këmbëngulim për një hetim të shpejtë dhe të plotë nga autoritetet për kërcënimet ndaj zotit Myzyraj. Hetime të tilla jo vetëm që duhet të sjellin përgjegjësit para drejtësisë, por edhe të dërgojnë një mesazh të qartë se kërcënimet ndaj gazetarëve, qoftë online apo personalisht, merren seriozisht.

Ne gjithashtu u bëjmë thirrje organizatave të medias, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar që të bashkohen me ne për të dënuar taktika të tilla frikësuese kundër gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë situatë, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve. Rrjeti u kujton të gjithë palëve të interesuara se një shtyp i gjallë dhe i lirë është thelbësor për demokracinë, duke shërbyer si një roje për shoqërinë dhe një zë kritik për t’i mbajtur ata në pushtet përgjegjës.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb – 14 mars 2024