Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Ah, kjo Juga!

557
Sigal

Ah ,kjo Juga, që rend zjarrmuar, si grua,
me syrin thëngjill dogji pyllin me bujë,
krahë të ndezur zogjsh, përpëliten në krua,
nëpër flakë shtërgu vajton me kujë.

Para syve të mi digjen bukuri nën yje,
gjethe në agoni hedh Juga në fushë,
vajtimi i thëllëzës, që la të vegjlit në pyje,
mbeti simfoni e pashkruar nga askush.

Zana e Çermenikës,veshur me të zeza,
me kryet ulur prin të bukurat e dheut,
me sytë nga pyjet, u shkrehën në dënesa,
aq sa tronditën veshin e mëmëdheut.

Nën hijen e lisit,që digjet me llahtari,
kurora të lashta,ende rrinë varur,
si të jetë një tempull perëndie prej ari,
aty, në gjunjë shekujt janë falur.

Poshtë kurorës së tij,me qiell kaltëruar,
sipër afshit të gruas,është ndezur burri,
pasi ka shuar etjen me sisën qumështuar,
ka pirë hojen e pyllit dhe i ka qeshur nuri.

Ja, atje, ku rrëzoi kryet bredhi trishtuar,
përmbi rrudhat e trungut të vjetër,
ca fjalë dashurie mes flakëve pikëlluar,
mbi sytë e Jugës derdhin lotë të egër.

E shoh gjarpërushen flakë, u fut nën pjergull,
aty ku gjeta letrën ngjitur me brumë,
më kujtohet kur shkelja gjethet ngjyrë tjegull,
pylli më gjurmonte,pa bërë zhurmë.

Ai s’mund të priste gjithë natën nën yll,
me zogj do shtegtonte mal e breg,
fjalë shpirti kishte gdhendur nëpër pyll,
nën një lis zemrën kishte lënë peng.

Atje, nën atë lis, më puthi i dashuri në buzë,
atje u kurorëzova për herë të parë grua,
shtratin me gjethe pjergulle e ndezëm shpuzë.
Ah,kjo Juga! Kjo Juga m’i dogji kujtimet mua.

Ah,kjo Juga thëngjill, që rend pyllit zjarrmuar!
Dogji dashuritë, mbetur mbi trungje qëkur,
zemra të kuqe përcëlloi, me të zjarrtat duar,
shkrumboi kujtimet, që s’kthehen më kurrë.

Në heshtjen e ditës, me diell të frikshëm,
më ndjek Juga grua, me të zjarrtët sy,
premtimet e dashurisë i dogji dhimbshëm,
kërkon të djeg fjalët, që kam gjirit për ty.