Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Thirrja e së dielës

560
Sigal

Hej, njeri, dru i mbirë, fije bari,

Mos e digj vetveten, ditët e tua të shtrenjta,

Se vret e shndërron në hi

Dhe cicërimat e fundit të zogjve të dritës,

Që i ruan në gji,

Dhe, atje, ku shuhen cicërimat e dritës,

Nis e bën fole nata 

Me flatrat e së keqes.

 

Këtu hajduti thërret: “Kapeni hajdutin!”

Skifteri më i tmerrshëm,

Thotë:”Jam i pafaj!”

Dhe dhelpra më dinake, thotë: “Jam qengj!”

 

Të gjithë lumenjtë rrjedhin

Pa të treguar ku derdhin.

 

Këtu krojet kanë ujë, 

E kur ti ve buzët shterojnë,

Këtu flakët e vetëtimave të shfaqen

Si ëndrra të bukura, 

Rrugët duken e zhduken

Pa mundur të ecësh ndër to.

 

Këtu të gjitha stinët vijnë,

Por, jo, stin’ e pranverës,

Këtu nuk ndreqin,

Por prishin dhe atë që është e ndrequr.

 

Këtu s’mund të ecën kah dritës,

Se tunelet e errësirës s’kanë fund,

Këtu dimrat rëndojnë mbi shpatulla

Të rreshkura zhgënjimesh

Si mal dëbore 

Mbi tjegulla të thyeshme,

 

Çatitë e qiellit pikojnë 

E rrjedhin shira e lotë,

E drita shndërrohet në mjegull,

E t’i dridhesh varfëris’ e dhimbjes,

Pa mundur të shikosh vetveten dot.

 

Këtu sheshet janë vrasëse

Dhe hapësirat kanë kufi të përgjakura!

 

Na duan krimba dhe ne

Në krimba shndërrohemi

Të gatshëm për të na shtypur me këmbë,

Dhe pse jemi njerëz më të mirë, 

Se ata, në këtë jetë!

 

Këtu luanët shqyejnë gjithë kopetë,

Por, siç e kanë luanët,

Asnjë prej tyre s’shqyen veten e vet,

E ne jemi filli e gjahu,

Që këputemi e shqyhemi më shpejtë!

 

Qiejt janë plot me vetëtima të pabesa.

 

Sot është e diel!

Pushtoni hapësirat më të bukura

Të qiejve të shpirtit,

Mblidhni tufat më të lumtura të luleve

E të zambakëve të dritës,

 

E ju a dhuroni fëmijëve, gruas,

Dhe me familjet e miqtë tuaj,

Ndër parqe të gjelbër e me diell,

Bisedoni, luani e çlodhuni të qetë!

Largohuni nga retë!

Largohuni nga retë!