Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: O dit’e bukur, ti që lind njeriun!

563
Sigal

(Në pritje të lindjes së Kevin).

Në pritje të vesës të lind vesën,

Dritës të lind dritën, barkut të lind njeriun,

Sime bije të lind djalin.

Me një bisturi të përgjakur hëne,

Që s’iu nda vajzave të mia,

E mua ankthi i pritjes ndër rrahje zemre,

Që plot me merak m’i mbush sytë,

E si t’ish një glob i rrumbullakët

Formës së barkut,

I shtohet dhe një paralel i dytë,

Duke ia prishur bukurin’ e ia rrite vlerën,

Në pritje të nënës të bëhet sërish nënë,

Ëndrrës të lind ëndrrën,

Lules të lind lulen,

Në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje,

Apo natën me yje, a me Hënë,

Kurdo që të lind, vetëm që e qara e fëmijës,

Të gëzoi syt’e përlotur të ëndrrës,

E duart e nënës të mbushen

Me zëra zogjsh,

Që këndojnë pjesëza nga lumturia e zëmrës

Dhe meraku i përroit të shteroj

Njëher’e mirë,

E t’ia marrë sërish këngës.

Në pritje të ditës të lind ditën,

Mëngjesit të lind Diellin, e ime bij të lind Kevin,

Të pagëzuar prej së bijës, Lunës,

Që në ngjizjen e tij.

Mbi bark të mamit, pikturuar e ka, vëllaçkon,

Dhe e pret ta shikoi me padurim.

O ditë e bukur, ti që lind njeriun, më bë sot të lumtur,
E lehtësoja dhimbjen lotit tim!

***

Dhe Kevin, lindi, si një engjëll, si një perëndi,

Si lind vesa vesën, drita dritën,

Si lind mëngjesi Diellin,

Si lind reje të bukurin shi,

Si krijoi zoti Qiellin,

E Tokën që bleron,

Prej një barku plot dallgë e stuhi,

Lindi si një bisk i njomë,

E qau si zog i zgjuar në një realitet të ri,

E filloi të lëshoi dritë

Si një yll i vockël në shpirtin tonë.

O ditë e bukur, ti që lind njeriun,

Të falënderoj, Ty dhe Zotin,

Që e jetova këtë çast, e ma lumturuat lotin!

Dt.12.06.2019. Modena.