Të ngjitesh në pemën e jetës
e të ndizesh e fikesh
si dritat,
si ëndrrat,
e patjetër
ëë zbukurosh e ndriçosh
këtë pemë njerëzore,
Dhe të mos e lejosh
kurrë veten
të humbësh këtë mundësi,
të shenjtë e vdekatare!
Lartësitë, lartësitë,
janë synimi i klithmave
të zogjve, të yjeve,
që fluturojnë në qiejt
e shpirtit,
që lind e s’perëndon!
Ndizni dritat e shpirtit,
o njerëz të mirë!
I ndeza të gjitha dritat!
E bëra shpirtin diell,
dhe natë s’kish më natë,
as në Tokë, as në Qiell,
Se është shpirti ai,
Që e mbush ditën me Diell,
Që e zhduk errësirën,
Në Tokë edhe në Qiell.
Ndizni dritat e shpirtit,
O njerëz të mjerë,
largoni nga trupi të keqen,
E qeshni si përherë,
Se shpejt troket dimri,
me ngrica edhe me erë.
I mjerë çel trëndafili,
mbi varrin tënd të mjerë!






















