Suplementi Pena Shqiptare/ Migjeni: Dy buzë…

40
Sigal

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën.
Andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane.
Një pjesë zemre më nxornë.
Një pranverë të tanë më mornë
dhe gëzimin ma vodhnë…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lot të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.