Suplementi Pena Shqiptare/ Mevlan Shanaj: Margaritë

227
Sigal

Është rasti që pamja e jashtme shkon sinkron me ndjeshmërinë e brendshme! Kjo është vërtetuar gjatë gjithë jetës publike të aktores Margaritë! Duket se edhe emri ka përcaktuar jetën e saj ! Një Margaritë e skenës dhe ekranit, një Margaritë në udhëtimin tonë artistik prej viteve 60. Unë nuk di ku e kam parë për herë të parë , në Intrigë e dashuri, një dyshe e përsosur me Naim Frashërin , apo e kam parë te roli i Ofelisë?! Për mua dukej se Shekspiri e kishte shkruar për të atë rol, jo vetëm si pamje që dalldisi Hamletin, por për shpirtin e dlirë! Më pas kam ndjekur çdo realizim të saj skenik apo edhe recitimet, që ndër vite ishin bërë pjesë e jetës së saj! Kur shikoje Margaritën në skenë, sikur hutoheshe! Te Margarita është rasti për të theksuar se si dinte që dhuntinë e saj të brendshme ta transferonte me delikatesë në krijimin e figurës artistike. Dihet që aktori gjatë gjithë jetës merret me udhëtimin e tij shpirtëror në botën e dramaturgëve. Bukuria e saj skenike me kalimin e viteve i rriti fisnikërinë dhe besoj se Çimi si aktor i sukseseve , do jetë i mikluar nga trashëgimia jo e emrit të madh të aktores, por nga ngjizja e talentit me gjithë ADN , formë përmbajtje. Kujtoj rrugën e saj nga një brishtësi deri në karakteret e gruas së vuajtur deri në dramatike. Është rasti për të thënë : Natyra kur të do, të do pa hatër, pa mik, të do si model! Kjo foto që gjeta rastësisht më ktheu te Margarita që fjalën e ëmbël e ka pronë të patjetërsueshme të jetës së saj! Si nuk dëgjova një fjalë të zakonshme për njeriun, aktoren e bukur Margarita Xhepa, veçse fjalën : E PËRSOSUR! Idhulli i publikut shqiptar! Jetë të gjatë! O Margaritar i aktrimit shqiptar! Si shkojnë disa gjwra në jetë! Emri, pamja, talenti, kariera! Margaritë, je e dënuar të mbetesh e bukur! Sa bukur që kjo moshë sot , të ka zaptuar të tërën si një ëndërr!