Banorët peticion qeverisë/ U përgjigjemi me ‘Jo’ kërcënimeve, që nuk i lejojnë fëmijët tanë të edukohen në çerdhen e artit të Ksamilit

167
Sigal

 

Qeveria Vendore të ndërgjegjësohet që Qendra e vetme Kulturore e Ksamilit të mos tjetërsohet

Peticioni: Ne u përgjigjemi me ‘jo’ kërcënimeve, që nuk i lejojnë fëmijët tanë të edukohen dhe të formohen në këtë çerdhe arti

Ksamil, 7 Tetor 2021

 

Letër e hapur, drejtuar: 

  • Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
  • Presidentit të Republikës;
  • Kryeministrit të Republikës;
  • Ministres të Arsimit dhe Sportit;
  • Ministres së Kulturës.

Unë, kompozitori Limoz Dizdari dhe pianistja Adriana Dizdari, banues në qytezën e Ksamilit (Sarandë), me aktivitet kulturor e artistik prej 23 vitesh në Qendrën Kulturore dhe Artistike DEA të kësaj qyteze, bashkangjitur po u dërgojmë PETICIONIN e banorëve të kësaj qyteze dhe të rrethinave të saj, lidhur me kundërshtimin e vendosur të tyre, për mos  tjetërsimin e Qendrës Artistike e Kulturore DEA. Ju, të nderuar Përfaqësues të gjithë popullit shqiptar dhe ju drejtues të lartë të kësaj Republike, a jeni në të njëjtin mendim me kërkesat e banorëve të kësaj qyteze e të rrethinave të saj, si dhe të ne, drejtuesve të kësaj Qendre Kulturore e Artistike, (njëkohësisht mësues e pedagogë, bibliotekarë dhe edukatorë), kërkesë që synon në favor të formimit qytetar, kulturor e artistik të fëmijëve të këtyre banorëve të përhershëm, e në mënyrë më të posaçme, të respektimit të dinjitetit të tyre? Ju lutemi, kini mirësinë të ndërhyni për respektimin e ligjit e të interesave të këtij komuniteti, të cilit i jemi përkushtuar këto tri dekada. Me bindjen se edhe ju nuk do të lejoni eleminimin e kësaj Qendre të vetme Kulturore e Artistike, (njëkohësisht dhe bibliotekë), nga 2262 Shtëpi e Vatra Kulture që ka pas Shqipëria në të gjitha fshatrat dhe qytezat e vendit deri në vitin 1990 (Shihni “Vjetari Statistikor i R.P.S.Shqipërisë”, 1988, f.161), nëse e ndjeni veten përfaqësues të këtij populli të pakët që ka mbetur ende në Republikën e Shqipërisë.

 

Limoz Dizdari                         Adriana Dizdari

 

PETICION

JO!

Qendra e Artit “DEA” është një subjekt me vlera kulturore tashmë të padiskutueshme. Unë si qytetar në këtë qendër mundem të edukoj fëmijët e mi dhe t’i aktivizoj në aktivitete të shumta që organizonte qendra “DEA” brenda qytetit dhe jashtë shtetit. Dua të ndërgjegjësoj Qeverinë Vendore, që kjo Qendër duhet të jetë dhe të vazhdojë misionin e saj.  Qendra DEA është vepër e familjes DIZDARI, pasi u gjet plotësisht e shkatërruar. Që nga dita e inaugurimit ajo ka nxjerrë qindra nxënës të edukuar me vlera muzikore dhe pianistë që performojnë brenda dhe jashtë vendit. Dhe, pikërisht këtë fidanishte të vetme në tërë Shqipërinë, sot duan ta tjetërsojnë . . . . . (!) Ne u përgjigjemi me JO! të madhe, dhe kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Ne u përgjigjemi me JO!, kërcënimeve, që nuk i lejojnë fëmijët tanë të edukohen dhe të formohen në këtë çerdhe arti.