Në qiell yjet që nguten drejt perëndimit kanë tjetër shkëlqim. Oborri fle nën lagshtin e natës, veç macja kërcen e matet të më afrohet te këmbët. Hapat e mi të ngutshëm e bëjnë të ndërrojë mendim. Edhe dera e oborrit ka tingull si të përgjumur. Rrugica pushon nën dritat e verdha. Rruga është bosh. Krejt bosh. Reklamat në dy anët e saj duken të kota, të ftohta pa praninë e njerëzve. Tek nxitoj drejt autobusit (jo se jam vonë, por më është bërë zakon), një këngë zogjsh më bën të ngre kokën lart. I kërkoj kot me sy. Terri më pengon edhe pse pemëve nuk u ka mbetur asnjë gjethe. Ndal pak vrullin dhe ec nën shoqërinë e lajmëtarëve të mëngjesit.
Autobusi është thuajse i zbrazur. Kam nxituar kot. Përballë marr një kafe. Kamarieri përshëndet me mirësjellje edhe pse sytë i ka gjysmë të mbyllur. Edhe pak i ka mbetur për të lënë turnin. Me kafen në dorë zë vend në autobusin që po bëhet gati të niset. “Nadja e mirë! ” Si keni ndjeh?” Këto përshëndetje vijnë si fjalëkalim për udhëtarët që hyjnë njëri pas tjetrit.
Shoferi mbyll dyert dhe niset. Dy -tri duar zgjaten dhe lamtumiren. Qyteti vazhdon të përkundet në gjumin e vet. Kalaja rrethuar në drita i bën rojë. Mbi liqen dritat e lokaleve koten në pasqyën e ujit. Edhe Drini po shkon i qetë në takimin me Bunën. Mbi Tarabosh ende shkëlqejnë yjet.
Nga lindja po ravijëzohen konturet e maleve. Kthej kryet edhe njëherë nga Rozafa. Ajo e di tashmë merakun tim.
Shkodra mbetet pas…