Suplementi Pena Shqiptare/ Meri Lalaj: Nga dashuria për vendlindjen

703
Sigal

Dhjetëvjeçarin e ri të shekullit 21, shkrimtari, studiuesi, kritiku poradecar, i nderuar me disa tituj shkencorë, pra e fillon me një libër studimor “Fisi Berberi në Enkelea”.
Unë si bashkëqytetare e lexova dorëshkrimin me shumë ëndje pasi në çdo faqe gjeja fëmijërinë, rininë, jetën time, vendlindjen e dashur. Të shkruaj dhe të them se ky libër është një kontribut i paçmuar për jetën, kulturën jo vetëm të fisit të tij, të qytetit Pogradec, por edhe një kontribut për kombin sepse sikurse shkruan autori në mbyllje të librit: “Çdo fis i studiuar është një diamant në kështjellën e artë të kombit.”
Në ditët që jetojmë shohim se pothuaj çdo ditë dalin libra të rinj, secili shkruan atë që di, por të ulesh dhe të shfletosh, të studiosh qindra libra të autorëve të ndryshëm vetëm e vetëm për të shkruar të vërtetën, të shkruash një libër që do t’u mbetet brezave, kjo është detyra dhe qëllimi që i ka vënë vetes Myzafer Berberi dhe ia ka dalë me sukses, sepse jo vetëm është mbështetur tek këta autorë, por ka pasur edhe raste kur me argumente i kundërshton disa prej tyre për shembull udhëtarin turk Evlija Çelebija (lidhur me numrin e banorëve, shtëpive, xhamive në qytetin e Pogradecit).
Shkrimtari Myzafer Berberi, e ka filluar studimin për veprën e tij që nga kohërat e lashta pellazgo-ilire duke dokumentuar për territorin shqiptar dhe veçanërisht për krahinën e Pogradecit ku dikur shtriheshin fiset enkelease dhe këtë e bën duke u mbështetur në shumë autorë si: Polibius, Strabo, Edith Durham, Aristidh Kola, Zacharia Majani, Spiro Konda, Francois Pouqeville, Mathieu Aref, Ferdinanad Leka, Giusepe Crispi, Petro Zhej e mjaft të tjerë. Në këtë libër mëson shumë gjëra plot vlerë jo vetëm nga ana historike, trashëgimore, ritet dhe zakonet shqiptare, të dhëna të hollësishme për fisin Berberi, por ajo që më la më tepër mbresa studimi i mirëfilltë për anën gjuhësore, shpjegimin për qindra toponime të gjuhës sllave duke i shpjeguar dhe përkthyer në shqipen e sotme.
Me këtë libër të vlefshëm shkrimtari Myzafer Berberi i bën nder vetes, vendlindjes së tij të dashur Pogradecit, por mbi të gjitha ky libër, siç e shkrojta që në krye, është një vlerë e paçmuar për kombin, ai e rrëfen veten se është i lidhur fort me këtë truall “ku na ka rënë koka”, me fjalë të tjera e ka kryer me nder detyrën e shenjtë që ka secili prej nesh ndaj Mëmëdheut.