Dielli shndrritshëm ra në perëndim
në lindje re të murme si akullnaja harrese
zvarriten përtueshëm dhe humbin nëpër terre…
Do të ketë dëborë nëpër male nesër
qielli do të shkëlqejë i qeshur
e sa lindur
sikur të jetë mëngjezi i parë që jeton vetëm
duke pulitur sytë
e duke pritur dhëndërrin…
Deti qesh
vështron format e dritës zbehet
e mbledh kujtimet e veta
dita u ngrys
lulet e buta të bajameve
vështrojnë një Zog tek fluturon në harqe të hapura
ylberi…
Kjo ditë
kish ca histori që s’dua t’i kujtoj!
Ndoshta gjithçka e re është për ne
nesër…
Ndoshta nesër zemra e Atdheut është një shtëpi
që fle në breg të detit
dhe jo një zog që fle mbi pemë…






















