Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: Pusulla e vogël e Dritëroit të madh

37
Sigal

Patjetër që, në magjen e madhe të letërsisë lexuesit marrin librat dhe veprat, subjektet dhe kënaqësitë letrare, shijet e mira estetike, akumulojmë pa ia nda leksik dhe shprehje interesante dhe të veçanta, mësojnë rrëfime dhe zgjidhje nga më mahnitëset, impresionohen nga personazhe të punuar me mjeshtri dhe art, si dhe plot volume të tjera ngjarjesh e bëmash, që ia lezetojnë leximin kujtdo që prek librin. Por jo rrallë, edhe jetët e shkrimtarëve janë po kaq artistike, jeta e tyre është në një farë mënyre dhe plotësuese e letërsisë që ato kanë shkruar. Dinamika ngjarjesh, histori të vogla, anekdota dhe legjenda urbane, rrethojnë shpesh emrat e shkrimtarëve. Histori të shumta personale (të këndshme apo dhe të trishtueshme) janë një petk për shkrimtarët, dhe në kokën dhe fantazinë e lexuesve duket sikur u veshet dhe veprave që ato kanë shkruar. Eshtë e mjaftueshme që të studiosh me ta letërsinë, të merresh me historiografinë e shkrimtarëve, të lexosh memuaristikën për to dhe të shkosh pas biografistëve serioz të tyre, për të kuptuar se jo vetëm tërë këto jetë kanë po kaq vezullim letrar dhe artistik sa edhe vetë vepra, por dhe sa ndikim dhe impulse apo energji ka marrë pikërisht letërsia nga jetët e po këtyre shkrimtarëve. Impulset, ritmin, grintën, profilin karakterial të tyre, e kanë bash aty ndër libra, ndër veprat që kanë shkruar. Unë kam qenë pranë disa prej shkrimtarëve të dëgjuar, në fillim si lexues i hershëm i tyre, në adoleshencë si ëndërrimtari për t‘u bërë si ato, në rini si kolegu modest i tyre, dhe sot e kësaj dite si një mik që i kujton me dashuri, respekt, dhe disa prej tyre dhe me dhimbjen e të mosqënit më në këtë botë. Dritëroi, duke qenë pranë meje në disa çaste zgjidhshmërishë për mua, mbetet ndër figurat e miqve më të vyer që kam patur, me atë fisnikërinë e tij arketipale dhe dashamirësinë delikate dhe njerëzore.

 

1.Pusulla e vogël e letrës

Në leximet e mia për arqitekturën, nuk e kam hasur askund arsyen e tendencës së godinave me lartësi të mëdha. Por përherë kam menduar se lartësitë e sallave, koridoreve dhe zyrave të tyre, bëhen enkas dhe kanë si qëllim pushtetin mbi njerëzit. Po të vizitosh nëpër botë tribunalet, (godinat dhe sallat e gjykatave), hollet qeveritare, e kupton menjëhere se sa më të mëdha dhe të larta të jenë ato, aq më i vogël e i tutluar, dhe i bërë sa një grusht është njeriu. Ky shembull ndryshon në rastin e kishave dhe xhamive, (ku lartësia është hapësirë që presupozon qiellin dhe pushtetin e Të Epërmit, Zotit). Në vendin tonë, një prej godinave me hapsira të larta ka qenë edhe Lidhja e Shkrimtarëve, (dikur kishte qenë shtëpi e ushtarakëve italianë, vend ku hierarkia kishte pushtet absolut). Në vitet e gjimnazit, kur sillja poezi për botim, salla e pianos, koncerteve dhe mbledhjeve, edhe bari, edhe koridoret e zyrat sipër, më mrekullonin me lartësitë e tyre. Na kishin ardhur në maj të hundës hapsirat e ulta që na zinin frymën.  Shkova të takoj Dritëronë, kisha hall, nuk po më jepnin të drejtë studimi.

Në koridorin e madh të katit të dytë shkonin e vinin fytyra të njohura, që unë i mbaja mend t’i kisha parë nëpër faqet e gazetës “Drita”, në ndonjë shpinë libri, apo dhe ndonjë lajm televiziv për letërsinë. I admiroja shumë këta njerëz, që silleshin kateve të godinës së Lidhjes. Qenë shkrimtarë. Pas derës me mbishkrimin “Kryetari”; qemë në pritje tre vetë. Unë (që pasi kisha mbaruar gjimnazin me nota të shkëlqyera, pata bërë dhe stazhin në prodhim, si rregull që ishte atëherë për djemtë, dhe isha 19 vjeç), qe një vajzë e dobët dhe delikate, si dhe një burrë që ishte me të, dhe që e shoqëronte vajzën. Së pari thirrën ata të dy. Dhe, kur dolën qenë gjithë shend e gëzim në fytyrë, dhe me një pusull në dorë, që e lexonin dhe e rilexonin tërë hare, të dy njëherësh, ngulitur sytë në atë copë letër. Pastaj më thirrën mua. Sekretarja, më drejtoi tek zyra e Dritëroit. Hyra. Më priti me shumë qetësi dhe ngrohtësi. I thashë se kisha ardhur t’i kêrkoja mbështetjen dhe ndihmën, si Kryetar i Lidhjes që ishte, (që të fitoja studimet për letërsi), mbasi isha me nota të shkëlqyera, dhe e doja shumë letërsinë, që shkruaja dhe kisha botuar, madje dhe im atë vetë pati mbaruar për letërsi. Por pengesa më e madhe e imja, i tregova Dritëroit, ishte ana biografike, mbasi gjyshi im nga nëna, ushtarak, qe i pushkatuar. Heshti pak, më tha se i kujtohej që kishte lexuar ndonjë gjë nga unë, dhe pastaj më dërgoi që të prisja në paradhomën ku qe sekretarja. Kur më thirri përsëri, Dritëroi kishte në dorë një copë letër krejt sa e atyre të parëve, me firmën e tij hedhur anash. Dhe më tha që të shkoja tek Agim Cerga e t’i vija dhe një firmë tjetër, dhe pastaj ta dërgoja në komitet. -Mos u bëj merak, do të zgjidhet, po t‘i vazhdo të shkruash, -dhe më rrahu shpatullat. Ajo pusullë e vogël, por me dashuri të madhe, më ka dërguar në shkollë për letërsi. Ai qe takimi im i parë me Dritëro Agollin. Dhe ajo vajza që atë ditë pati ardhur nga Kruja me të atin, dhe që mori pusullën para meje, shkoi në shkollë, pas telasheve që ia hoqi Dritëroi. Më vonë e mësova se qe Mimoza Ahmeti. Dhe u bë poete e njohur. Të dy kishim nevojë për letrën e Dritëroit. Unë me gjysh të pushkatuar, ajo me xhaxha të burgosur politik. Vonë kam mësuar se ai xhaxhai i vajzës ishte Sadri Ahmeti, një nga piktorët tanë më interesant, shkolluar për arte të bukura në Beograd. Shumë vite më pas, kur unë vetë punova në Lidhje të Shkrimtarëve, Sadri Ahmeti me solli katër akuarele, si ilustrim për një shkrim që do të shkruaja për të në “Drita”. -“Mbaji, i ke dhuratë nga unë”- më tha. Sadriu nuk jeton më, por akuarelet janë në studion time, në koleksionin e pikturave që kam. Me Dritëroin e ruajta miqësinë dhe e vlerësoja shumë për nderin e madh që më bëri. Ndërsa firmëtari tjetër i shkresës sime, Agim Cerga, qe sekretar për letërsinë, në Lidhje të Shkrimtarëve, një burrë krejt i sjellshëm dhe i mirë.

 

  1. Nuk dua të ndryshoj asgjë

Nëse unë do të ndryshoj qoftë dhe një fjalë, qoftë dhe një varg apo diçka tjetër nga libri im i parë në ribotimin e tij, patjetër që atëherë unë nuk jam më ai Marku 20 e ca vjeçar, por ky i sotmi. Ndaj, nga shumë kërkesa të lexuesve që kam marrë për ta ribotuar “Bujtinë e çmendur”, unë do ta sjell librin vetëm ashtu siç ka qenë atëherë. Le të ketë naivitete, percepsione të menduar thjeshtë si vetë mosha, të ketë poezi të bukura dhe më pak të bukura. Madje dhe parathënien e këtij libri, që më shkroi Dritëroi do ta botoj krejt ashtu si atëherë, dhe që po ua paraqes sot si para 30 vitesh. Më ka marrë malli për poezitë e shkruara në ato vite, për frymëzimet e atyre kohëve, për detajet e asaj kujtese, për përsonazhet, që më frymëzuan. Më paska marrë malli dhe për Parathënien që pati shkruar atëherë Dritëroi, dhe po ua jap krejt ashtu siç e pat thënë ai vetë. Në poezi nuk ka diferencë midis të mundshmes dhe të pamundshmes.

Me librin “Bujtinë e çmendur” Mark Simoni vjen si poet i plotë, duke mos i lënë lexuesve dhe kolegëve të tij asnjë shenjë dyshimi për vlerën e materies së vet poetike. Ai vjen si një poet i veçantë, me një prurje poetike spontane dhe të vrullshme në shkumbëzim, prurje, që hidhet mbi shtratin e saj, duke kapërcyer edhe brigjet e këtij shtrati. Tek lexon vargjet e tij të shtrira si paralele deri në mbarim të frymëmarrjes, të vjen në mend një maksimë përafërsisht e tillë: ”Poeti merr frymë me mushkritë dhe me fjalët”. Për këtë të vërtetë mund të flasin qoftë edhe pak vargje nga poezia “Nëpër kokën time”:

Sonte

Në tabanin e kokës sime,

(Tamam atje ku është bërë një baltovinë

me pluhurin e mijëra ëndërrave të këqija),

vrapon, trembet, përplaset,

një ëndërr delikate.

Me këmbë hollake,

si sorkadhe.

Poeti humb në labirinthin e ligjërimit të tij dhe bën çdo gjë: qesh, ëndërron, lëviz, çuditet. Fjalët i bën të ecin. Dhe në këtë ecje fjalët janë të dhunshme dhe kontradiktore, pasi në poezi nuk ka diferencë mes të mundshmes dhe të pamundshmes. Nuk thonë kot se, poeti duhet të dijë të bëjë çdo gjë. Mark Simoni këtë e ka kuptuar që kur ka botuar vargjet e para. Por me librin “Bujtinë e çmendur”, ai ka kuptuar më thëlbësoren: të shkruash është divors. Ngrihet çështja: të shkruash, apo të jetosh? Duhet të zgjedhësh njërën nga këto të dyja. Ai ka zgjedhur: të shkruash. Libri i Mark Simonit në volum nuk është i madh, por çuditërisht ai ka volum sendesh dhe imazhesh, që flasin me gjuhën e epitetit dhe të metaforës. Poeti këtu është brenda vetvetes dhe jashtë vetvetes. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe për atë që është poet i vërtetë. I vërteti poet ka nevojë të jetë brenda dhe jashtë botës, pasi, përndryshe nuk mund ta bëjë të këndojë heshtjen dhe nuk mund t’i japë shpirt materies së fjalëve, të cilat janë portreti dhe treguesi i gjërave.

E rregullova me dy thumba këpucën,

pastaj e lyeva me kujdes.

U nervozova pak me nënën

që ma kishte hekurosur me dy vija,

njërën mëngë të këmishës së kaltër.

Ky portret i gjërave, që vjen nga shpirti i materies së fjalëve, bën përgatitjen brenda botës për të dalë jashtë saj, për të kërkuar kështjellën e Xhulietës. Dhe ja poezia “Në kështjellën e Xhulietës”

Me një vajzë që s’bëhet dot Xhulietë,

(Ndoshta ngaqë edhe unë s’jam Romeo)

kam ardhur në kështjellën tënde,

në kështjellën, që vetëm atëherë ka ndodhur ngjarja

dhe kurrë më!

Dihet se poeti është kujtesa e popullit të vet, pasi mbart më vete gjyshërit edhe etërit, ëndërrat dhe këngët, mishin dhe trupin, sendet dhe imazhet e tyre. Vetëm në këtë shesh apo fushë ai stërvit shprehjen e poetit; vetëm këtu ai bën lojën e krahasimeve dhe metaforave për të realizuar aktin magjik në krijimin e një gjuhe dhe të një bote. Unë gëzohem që drejt kësaj ecën Mark Simoni dhe si unë të gëzohen dhe të tjerët kur ta marrin në dorë librin e tij “Bujtinë e çmendur”.

Dritëro Agolli

 

  1. Si ikin vitet!

Pardje, u bënë plot 23 vite që unë pata një bisedë të gjatë me Dritëro Agollin, ndër të tjera dhe për Lezhën dhe krijuesit e saj, dhe e botova në formë interviste tek GAZETA E LEZHES që atëherë unë drejtoja. Gazeta e Lezhës, faqe 2, e hënë 27 shkurt 2000

Më poshtë është vetëm një fragment nga kjo bisedë, mbasi të plotë unë e kam botuar në librin tim me 77 intervista, me përsonalitetet tanë më të dëgjuar të letërsisë dhe artit, titulluar “Në oborrin e Letërsisë”

Mark Simoni: -Ju jeni nga miqtë më të ngushtë të poetëve të Lezhës. Nga rrjedhin këto lidhje?

Dritëro Agolli: -Mua më ka tërhequr prej kohësh Lezha, me natyrën, me njerëzit, me traditat dhe me kulturën popullore. Më pëlqenin këngët dhe vallet popullore, dhe rrëfenjat e lashta, të mençura e të bukura. Dhe kur grupi folklorik i Lezhës fitoi çmimin e parë, në Festivalin e parë Folklorik të Gjirokastrës, u thashë shokëve që më ngacmonin për Lezhën, E shikoni, ja cila është Lezha. Po mua më pëlqente dhe Shëngjini, me plazhin e tij, që kishte një rërë të pastër dhe të imët, që kur shtriheshe mbi atë të mbeteshin gjithë format e trupit, rruazat e shtyllës kurrizore, kyçet e këmbëve dhe të duarve, madje dhe poret e lëkurës. Kur ngriheshe mund t’i shihje në rërën e Shëngjinit shenjat e trupit tënd. Këtu, një herë, shumë vjet më parë, kur unë pushoja në një ditë korriku, erdhi një djalë i ri, i imtë dhe i ndrojtur, me një fletorkë me vjersha të shkruara me shkrim dore. Ky ishte Ndoc Gjetja. Unë e lexova fletorkën aty për aty, në prezencë të Ndocit, dhe u befasova me bukurinë poetike të vargjeve, me origjinalitetin dhe me zërin e veçantë të tyre, që nuk i ngjanin krijimeve të poetëve të tjerë. Dhe thashë me vete se Lezha nuk duhet të ketë vetëm një poet. Kështu, unë e mora fletorkën e Ndocit dhe e shpura në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ajo fletorkë u bë libri i parë i Ndoc Gjetjes, poetit tashmë të dëgjuar dhe të njohur nga të gjithë. Shumë herë la forma trupi im në rërën e Shëngjinit, dhe atje shkrojta dhe shumë vargje. Ndërkohë fillova të takoj dhe poetë të tjerë lezhjanë si Rudolf Markun e Preç Zogajn, po edhe më vonë më të rinj si ti Mark, e me radhë. Mua më tërhiqte dhe më tërheq poezia juaj për ndjeshmërinë e natyrshme, për lëvizjen e figuracionit, dhe për frymën humane të shprehur ndryshe poetëve të tjerë. Por më tërheq dhe ndjenja e miqësisë dhe e solidaritetit që keni.

 

4.Magjia e këtyre dy letrave

Letra e një dorëshkrimi është shumë intime dhe përsonale për shkrimtarin. Kjo letër ështe prekur nga gishtrinjtë e shkrimtarit, është sjellur dhjetra herë nëpër duart e tij, ka pushuar në tavolinën e shtëpisë së tij, ka dëgjuar kollën apo dihatjen e tij kur shkruante, ka ndjerë fjalët e belbëzuara që autori i ka thënë me veten e tij para se t’i hidhte në letër. Ndaj dorëshkrimet kanë shenjtërinë e shkrimtarëve, kanë diçka prej frymës së tyre. Krejt ndryshe ndodh me librin, me letrën, që hyn në rrotativët e shtypit. Ajo letër kurrë nuk e ka njohur dot shkrimtarin, ndaj është e ftohtë, gati sterile, e pafrymë. Libri ikën librarive dhe magazinave, stivoset, paketohet, dhe mbërrin në duar e lexuesve, pa u “bekuar”, qoftë dhe një herë të vetme nga përkdhelja e duarve të autorit. Këto dy letra që unë po mbaj në dorë, kanë mistikën e të shkruarit nga dy njerëz dhe autorë shumë të njohur, (që nuk janë tashmë mes nesh), Dritëro Agollit dhe Ndoc Gjetjes. Madje dhe vdekja e tyre i bën akoma më tronditëse këto dy dorëshkrime. Janë dy intervista që kam bërë unë me to për gazetat, me Dritëroin në vitin 2000 dhe Ndocin në vitin 2004. Përgjigjet e pyetjeve të mia i kanë shkruar bukur, me dorën e tyre, me kujdes, me bojë tush të zezë, me ndonjë korigjim të vogël. Këto biseda që pata me Dritëroin dhe Ndocin i kam botuar jo vetëm nëpër gazeta, por i kam dhe në librin tim “Në oborrin e letërsisë”, me intervista me 77 shkrimtarë shqiptar. Edhe sot vazhdoj të jem i emocionuar që, zanafillën e këtyre intervistave, aktin magjik, çastin fatlum, kur dhe ku janë shkruar me dorën e tyre këto dy dorëshkrime në letër, pra dorëshkrimet e shenjta të këtyre dy poetëve, i kam ruajtur si antikuare, dhe sot e kësaj dite në arkivin tim përsonal. Ndaj vazhdoj edhe sot t’i kem përsëri miq!

 

4.Babain tënd e kisha shok

Në një emision televiziv, të një stacioni të huaj, pashë këngëtarin e famshëm të grupit “Beatles” (Bitëlls) Paul Mçartney, që kishte sot miqësi me Julian, djalin e të ndjerit John Lennon, mikun e tij të dikurshëm të grupit. Menjëherë dhe instiktivisht se si më erdhi në mendje kënga e veçantë e dikurshme, plot dhimbje “Babain tënd e kisha shok”, një këngë me tekst të Dritëro Agollit. Duke i hequr ndonjë element të vogël ideologjik, unë te kjo këngë shoh klasin e dhimbjes së madhe të një burri për vdekjen e mikut të tij. Dhe për këtë vdekje thur baladën, të cilën ia këndon birit të shokut. Një dhimbje e thekshme, një dashuri tjetër lloji, një përkujdesje gjentelmeni, një vaj me lot fisniku. Dhe përtej kësaj kënge, kësaj ngjarje, shumë kush nga ne ka eksperiencën e tij, mund të ketë mikun e vet të ngushtë që ka ikur kësaj bote. Secili prej nesh ndjek me kujdes dhe mision parabolën e udhëtimit të fëmijës së mikut të ikur, se si po ecën në jetë, si po i shkojnë punët? Është një mision i yni plot mall, dhimbje, amanete të turbullta, dëshira të forta. Ne, mbi këtë botë kthehemi dashje pa dashje edhe si një sy i atij mikut që është larg, për t’i parë të birin në rrugën e tij. Jemi gjithashtu dhe një dru i zjarrit të vatrës për ta ngrohur, dhe një tra apo sup për ta mbajtur dhe mbështetur. “…Babain tënd e kisha shok/. Në prehrin tim nga plagët ai vdiq…” -thotë kënga.  Ne kthehemi dalëngadalë, qoftë edhe në një fjalë të vetme nga formula e famshme e amanetit për birin, bëhemi ndoshta dhe një ingranazh i vogël i agregatit të madh të jetës së djalit të mikut të dikurshëm. Sepse “Babain tënd e kisha shok!”. Dhe kënga vazhdon.

 

6.Kur lumturohemi si fëmijë

Kur përfundoj ndonjë libër timin gëzohem shumë. Kur udhëtoj për larg seç kam një hare fluturimesh. Por kur marr ndonjë çmim jurie a vlerësim, (e sidomos nga larg), atëherë lumturohem krejt si një fëmijë, gazmohem pa masë, sepse në atë çmim është edhe letërsia ime, është dhe rruga e udhëtimi për ta marrë dashurinë e atyre që kanë menduar se libri im ia vlen. Në Prishtinë m’u akordua çmimi “Dritëro Agolli” për librin “Sa shpejt kalojnë 3 minutat”, si vepra poetike e vitit. Vlerësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve të Kosovës si dhe nga Unioni i shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë. (U përmallova pak, mbasi më kujtohet se librin tim të parë e ka shoqëruar me një parathënie të gjatë pikërisht Dritëro Agolli). Përkrah librit tim dhe libra të tjerë në këtë ditë çmimesh, me prozë të shkurtër e romane, ese, studime, monografi, dramë e teatër, memuaristikë etj. Përbri çmimit tim dhe çmimeve të tjerë për zhanre të ndryshme. Bashkë me emrin tim dhe emra të tjerë të autorëve dinjitozë e të talentuar, që i dhanë kësaj ngjarje të madhe letrare e kulturore dimensionin e seriozitetit dhe të vlerave. Enver Petrovci, Natasha Lako, Prend Buzhala, Eli Kanina, Adem Xheladini, Majlinda Nana Rama, Kalosh Çeliku, etj. Të gjithë të veçantë e interesantë në gjinitë e ndryshme të krijimit që u vlerësuan me çmime të zhanreve të ndryshme. Kjo inisiativë dhe ky projekt ambicioz, ky organizim shumë cilësor, me një juri ekselente dhe shumë të maturuar, me vepra kompetitive tepër të arrira, e bënë dhe një herë letërsinë të marrë nder e nur, të hijeshojë më mirë, të festojë me zotnillëk dhe dinjitet vendin që i takon në shoqëri.