Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Vala dhe Bregu

Sa u err dhe era ngriti velat,

Vala përmbi Breg u hodh plot zhurmë.

Sigal

Uji gjithandej shpërndau krelat…

I tha Bregu:

-“Pse bërtet kaq shumë?

Sikur kemi jetë pa u parë,

sikur vjen nga kushedi sa larg!

Asgjë e këtillë nuk ka ngjarë;

se këtu ke qenë, këtu je prapë… ”

 

Loti

“Ç’bën ashtu,

tek rend ti tatëpjetë?”

u soll keq Lotit Mollëza sqimatare.

Ç’ne kaq miq,

që përmbi mua shket?

Ma shkërmoqe tualetin fare…

Zu të fliste Loti, i hutuar;

por ndërkaq ish Buza që e treti.

Dhe kështu… asgjë nuk tha pothuaj.

(Fundja, ç’mund të thosh ai i shkreti!)

 

Bari dhe Gruri

Teksa të dy i frynte një puhi,

Gruri fjalim i mbante Barit:

“Shoku, ç’i duhesh njeriut ti?

Më duket, s’hyn në punë fare!

Ndërkaq, nuk po tregoj për veten,

sado që fjalëve s’u bëj bisht,

por… jam i parë ndër bereqete.

Zotrote, çfarë bën konkretisht?

Sakaq dhe Bari i dha hakun:

“Unë nuk di: i parë, i dytë.

Por di që ti i duhesh barkut;

mua më kundrojnë sytë.”