Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: Gjashtë fakte që më trishtojnë

948
Sigal

Nuk ka qenë më shumë se 19 vjeç, kur mbasi nuk shkoi dot në shkollë të lartë, Ndoc Gjetja u dërgua në zonën më të thellë të Lezhës, në Kalivaç, si punonjës i një vatre të vogël kulture. I vetmuar me vetminë e tij, dhe me dëshirën e madhe për të lexuar e ditur, ndër të tjera nisi të mësojë dhe gjermanishten. E cila më vonë iu bë dhe shkaku që, jo vetëm të pushohej nga puna, por dhe t’i krijohej një situatë frikësuese që e ka terrorizuar jo pak poetin. “Ka qenë ndoshta periudha më e vështirë shpirtërore e imja”, më pati thënë një herë për atë periudhë.
Mbi një biçikletë të vjetër e rrangallë, shkonte çdo mëngjes me mundim për në punishten e xunkthave të Shkodrës, përkthyesi më i mirë i “Iliadës” dhe “Odisesë” Gjon Shllaku, i cili në njërën nga paditë që iu bë, kur ra në burg, qe: “…lexon libra të huaj”.
Luigj Ljarja, ish-mësues i vjetër i gjimnazit, i thyer në moshë dhe i pamundur, u mbajt në këmbë nën akuzë, në një mbledhje të gjatë diskredituese, vetëm sepse u jepte mësime frëngjisht disa nxënësve.
Me Moikom Zeqon dhe një gazetar tjetër kemi vizituar disa herë shtëpinë e Pashko Gjeçit, patjetër danteisti më i madh shqiptar. E pyeta, se cilën prej pjesëve të trilogjisë së Dantes mendonte se e kishte përkthyer më mirë. “Ferrin, më tha, se ferrin e kisha provuar”. Pati qenë në burg, sepse i kishin gjetur libra të vjetër latinisht të ndaluar.
Alma P. një shoqe e imja e gjimnazit, (që pati ardhur nga Berati për të bërë dy vite në Lezhë), më ka mundësuar të takoj Vexhi Buharanë, përkthyesin e mrekullueshëm të letërsisë perse dhe osmanishtes, i cili pas shumë e shumë viteve burg për propagandë të ndaluar, krejt i rrënuar e i sfilitur, priste biletat e berberhanes.
Të gjitha këto m’u kujtuan sot, kur në shtypin e ditës lexova për një ngjarje të bujshme të viteve 1988, ku për këtë ngjarje qe arrestuar dhe një vajzë 20 vjeçare. Në dosjen e saj ishte dhe ky shënim, që patjetër ka ndikuar në peshën e dënimit: “Xhulieta ka manifestuar shfaqje negative, duke ndjekur një kurs privatisht për mësimin e gjuhës angleze”. (Gazeta “Panorama”, datë 27 maj 2019, faqe 19) 
Filozofi i madh Emanuel Kant tek vepra e tij “Kritika e gjykimit” ka termin: “I mallkuar prej diturive”.