Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: E ndez farin, të shmang vonesën tënde

56

(Ese rreth librit “Labirint”, të autores Mimoza Maria Ajdhoni)

Sigal

Megjithëse ky është libri i parë poetik i autores Mimoza Maria Ajdhoni, jam krejt i sigurtë se asnjëri nga ata që do ta marrin në dorë këtë tekst do të kenë përshtypjen që, është shkruar nga një shkrimtare në fillimet e saj, një zonjë entuziaste që don të hyjë në botën e letërsisë me lehtësi. Përkundrazi. Menjëherë, sapo të fillosh leximin, kupton se ke të bësh me një autore që letërsinë e ka substancë të ndërgjegjes së saj krijuese, se për të hedhur vargje i është dashur një dashuri e madhe paraprake për letërsinë, se për të bërë një libër është maturuar fort dhe është përgatitur gjatë, se nuk udhëhiqet nga emocioni i pa kontrolluar i protagonizmit, por nga vetëdija filozofike e përfaqësimit dinjitoz në letërsi. Nga fillimi e deri në fund të librit autorja nuk ka ndryshuar stil krijimi, nuk ka lëvizur nga matrica e mënyrës fillestare, sepse ajo e ndjenë se poezitë e saj mund t’i krjojë vetëm me rima dhe ritëm të brendshëm, në një mënyrë sa tradicionale aq dhe moderne. Autorja luan me këtë gjest letrar, sepse beson shumë tek harmonia, që është ndoshta akti më magjik që i bën artet të hijshëm dhe të këndshëm për këdo. Dhe kjo harmoni e përdorur nga Mimoza, ka brenda veprës raportet perfekte, alkiminë e sendeve dhe të ndjesive, përputhjen ideale, ekuilibrin, parabolat e ideve,  emocionet e vendosura në raporte valenciale. Eleganca dhe finesa, si dy module të fragjilitetit të poezisë, i japin një tis hijeshie librit, e bëjnë të admirueshëm dhe tundues njëkohësisht. Mimoza Maria Ajdhoni e harlis shpesh pendën në situata ekstravagante, e lëshon si bojrat e Pollokut nëpër shkretëtirë. “Zemra sulmon këmishën time”, “U ula në karriken e ndërgjegjes”, “Me të verdhë dua ta pikturoj detin”, “Gjinjtë e mi duan të shkëputen nga trupi dhe të fitojnë lirinë, me ajrin duan të kërcejnë”, “Më tërheq një dëshirë që e ndjej rrallë / Të jetoj një marrëzi, pa menduar se si do dalë”, “Antenat e ndjenjave ca sinjale kapin”, “Ti e lexon heshtjen time, njeh gjithë thellësitë e mia”. Në këtë gjatësi valesh emocionale është dhe poezia “Fari im”, që patjetër mendoj që është dhe një nga tekstet më të bukur të këtij libri, që vërtetë si një far ndriçon hijshëm tërë këtë hapësirë letrare. “Të ndez farin për ty, marinari im, Heliosi, perëndia e diellit, si një mangall të ndezur, përpiqem të shmang vonesën tënde”. Sa bukur. “Të prita, do vije me dëborën, për të zbardhur errësirën e shpirtit”. Një grusht gjevahiresh të talentit të kësaj poeteje, e vezullojnë anë e kënd librin e saj. Kjo autore vjen në letërsi pa bërë shumë zhurmë e bujë. Por ama i sjell letërsisë shqiptare të vargut arkivin e saj poetik plot substancë poetike, analizë të thellë, kumte interesante, stil të artikulluar qartë, energjinë delikate dhe zërin e saj të veçantë femror, vargëzimin individual si një profil poetic, që duhet të respektohet, sjell dhimbjet, ndjesitë, sendimentin e saj femror, filozofinë e saj si gjest dhe si akt, përthyerjet interesante pa rënë në situata drejtvizore, realizon forma të harlisura letrare, përdor trajta filozofike idesh, luan me figurat letrare deri në nënteksti i metaforave, përdor akuarele të mrekullueshme të ngjyrave emocionale, njeh mirë mizanskenat e subjekteve letrare,. Një regjistër tjetër temash të kësaj autoreje, që kanë të bëjnë me mallin e distancës, nostalgjinë e kohës, i japin librit një shije të mrekullueshme, si një ingredient i ardhur nga dritat e vjetra e të verdha të frutave të vjeshtës. “Kam një shtëpi që veç çelësi im e hap”, “Lunxhëria, ku nusja heq kësulën e kuqe, dhe në gotën e rakisë bie gjethja e rrushit”, “Shtëpia e vjetër e prindërve, plot ëndërra dhe kujtime fëmijërie”, “I dua agimet e qytetit tim”, “Albumi i fotove”, “Do vij nënë. Tek ti, dhe derën do gjej mbyllur. Do vij nënë me dy qirinj në çantë”. Ky libër është agregati krijues i zejeve poetike të poetes interesante dhe të veçantë Mimoza Maria Ajdhoni, është dëshmitari fisnik i dashurive delikate të unit të saj poetik, është një skaner besnik dhe korrekt i ndjesive të autores, sendimentit të saj, është një ditar poetik i bukur, plot tone ngjyrash. Dhe tërë ky libër është shkruar krejt bukur, me zhdërvjelltësi, me ritëm, plot elegancë, talent, energji, delikatesë.  Ndaj e ndjej se, lexuesi dhe kritika profesionale do të jenë të vëmendshme ndaj kësaj poeteje, që po ze vend në perandorinë e bukur të poezisë së re shqipe!