Suplementi Pena Shqiptare/ Marash Gilaj: Gënjeshtarët janë hajdutë

Marash Gilaj

Francezët kanë një fjalë të urtë:

“Të gjithë gënjeshtarët janë hajdutë.”

NOA

Besoj se keni dëgjuar mjaft fjalime

frymëzuese

pas të cilave, fshihen vepra të turpshme

gjithmonë të shkëputura nga realiteti

me këta hajdutë drejtohet shteti!

Ju që votoni maskarenj e tradhëtarë,

nuk jeni viktima, por bashkëpunëtorë

trushplarë.

Shumë zuzarë i graduat deputet,

drejtorë e kryetarë.

Horrat e batakçinjtë zunë vend të parë

pas çdo karriere të pamerituar

fshihet një maskarallëk,

sepse qeverisjen e konsiderojnë

si biznes privat.

Duke i ndarë njerëzit në vegla dhe armiq

në fund, të gjithë dalin të liq.

Por vetëm llumi ju do e ju voton

kush shkon pas brumbullit

në pleh përfundon.

Propaganda dhe spektakli janë mashtrim.

Nuk na duhet përshtatja:

kërkohet rebelim.

Nga veza e korbit nuk dalin pëllumba

një shpirt skllavi s’di çfarë është dhuna!

Mjet më i mirë kundër ligjit është

paturpësia

nënshtrimi ndaj padrejtësive

është vetë fatkeqësia.

Kemi mbetur pak popull dhe pa rini

ku më shumë vdesin se lindin fëmijë!

Regjimet urrejnë ata që mendojnë

dhe thonë të vërtetën,

protoganist narcist e hipokrit

fsheh realitetn.

Vlera juaj nuk matet me ato që grabisni.

Ajo tregohet me shërbimin ndaj popullit.

Kur mirëqënien ia rrisni

Krimi mbrohet nga shtet e politika.

Popullin e mban nën zgjedhë

injoranca e frika

Ju nuk skuqeni, nuk zverdheni,

as nuk ndryshoni ngjyrë.

Kështu, një ditë do të ikni nga kjo botë

si të pafytyrë.

Nuk ka shtet pa sundim të ligjit

kur gjithçka i lihet në dorë Maliqit.

Shoqëri e mpirë, popull i zhgënjyer

marrë peng nga maskarenj

e sharlatanë të urryer.

Dhe prapë do të prisni

derisa të vijë vjeshta,

por harroni se gënjeshtra mbrohet

vetëm me gënjeshtra.

E nëse i zoti për asgjë nuk je,

me krenari e arrogancë,

sunduesi po të thotë;

më mbaj mbi kurriz, se mirë e ke,

ndërsa t vazhdon t’i shërbesh djallit

pa e kuptuar se po gabon!

Ai, me bujari, ferrin po të dhuron.