(Kushtuar të madhit Lame Kodra (Sejfulla Malëshova)
Ikën vitet,ikën,
jo lavdia jote,
vlerat malet ngjitën,
siç ishe Zotrote.
Të kërkonte koha,
në çdo psherëtimë,
se dëbora,lloha,
mbytën Shqipërinë.
Shpirti yt i gjerë,
veç të mira donte,
gjoksi nëpër erë,
Shqipëri kumbonte.
Pena jote shpatë,
ndrinte,vetëtinte
dhe kur binte natë,
botën llamburinte.
Lame Malëshoviti,
Lame Shqipëria,
kur shkruaj për ty,
bleron dashuria.
Kur shkruaj për Ty,
ndjehem zog i lirë,
gëzimin në sy,
mbjell në shkretëtirë.
Ajo mendja jote,
plot me xhevairë,
kush nuk e duronte,
mbolli errësirë.
Solli diktaturë,
për një komb të tërë,
gjuajti me gurë,
shqiponja dhe drerë.
Ta kishin zilinë,
ndaj rehat s’të lanë,
se e doje shqipen,
të puthte kalanë.
E doje flamurin,
në çdo cep të botës,
ndaj dhe të goditën,
o Zgalem i Shqotës.
Dhe kur të plagosën,
në shpirt e në zemër,
t’i më lart u ngrite,
në botë le një emër.
Noli dhe Konica,
për Ty mendje artë,
të ngritën, të hodhën,
si një mal në hartë.
Si një mal i lartë,
me lule dhe borë,
ndaj ndriçon dhe sot,
mali mbi Malëshovë.
Ndaj dhe sot në qiell,
flet për Shqipërinë,
se e doje diell,
përmbi Trebeshinë.




















