U plake qeni im i mirë, u plake!
Pa thinja je, gjithë jetën borë i bardhë.
Kullojnë gojës, dy-tre ujëvara jarge,
nga sytë rrëzohen, të verbër ca smeraldë.
M’u plake mik! Të varur veshët rrinë,
dhe bishti zgjyrë dremitet nëpër këmbë.
Nën bark pikojnë ca sumbulla urinë,
t’i prapë mundohesh të ecësh rëndë-rëndë.
Një bushtër tej, bën naze dhe tund bishtin,
ty sytë të qajnë edhe dihat me azmë.
Kohët e arta, që ditët plot i kishin,
humbuan udhësh, në këtë botë shpirtkazmë.
U plakëm miku im besnik, u plakëm!
Na sheh kjo botë me sy krejt të pavlerë.
Humbëm të shtrenjtat edhe të gjitha ç’patëm.
Pas nesh, kështu, do zbresin dhe të tjerë.




















