Një portë që rri e hapur, zemra ime,
nuk mbyllet asnjëherë…E për çudi,
e di që s’je gjë tjetër, veç kujtime!
Ç’ të pres ashtu e hapur? Nuk e di!
Është zemra që tërheq ndjenjat e mia?
A ndjenjat dërgojnë zemrën n’ fluturim?
Dikur kisha lexuar…Nostalgjia,
nis, nga një i vetëm, ngashërim!
Një ”ah” që e merr era e tërbuar,
përhapet nëpër muzgje romantic.
Një shpirt që e djeg mall’ i përvëluar,
n’ hapësirat e qepallave rrjedh’ pik-pik.
Qerpikët e bashkuar e të lagur
të ngjitur do të mbeten! Kurse ti,
si erë do t’frysh mbi mua pa u ndalur…
Do të frysh. Po s’do të hapen sytë e mi!
Një portë që rri e hapur, zemra ime!
Një erë të fortë kërkon që ta përplas;
të mbeten jashtë saj, mijëra kujtime;
Kush do që të hyjë brenda, të trokas!