Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Nata e poetit

521
Sigal

Poezi nga libri: “Trëndafili i bardhë” shtator 2017

Mes gotave me vodka, natës së vonë,
Mendonte poeti për vashat e lëna,
Vargjet lëviznin fletëve, heshtje kish’ në dhomë
Sa larg e mbante netëve, e thëna nga e bëra!

Kush iku e mërzitur mëngjesit si një yll,
E mbi fletën e pashkruar i la veç një puthje?
E dashur, kur të ikësh, derën mos ma mbyll,
Hapat kur t’i hedhesh, shiko dhe pak më tutje!

Cigaren prapë e ndezi, e thithi dy-tri herë,
Shtëllungat rrathë-rrathë i ndiqte me sy,
Dritarja lënë hapur, një fllad fryu, a erë,
Ah, jo!- tha shpejt poeti, në der’ kur të pa ty!

U ngrit, cigaren fiku, e dorën shtriu ngadal’
Si yjt’ i ndritën sytë, hapin hedh me droje
Eja e dashur mike, zemra digjet zjarr,
“Kjo natë është e jotja!”- këtë deshe t’më thoje!

Mbi letër, e freskët puthja, akoma nuk është tharë
Nga dera kur më dole, të thashë: “Mos e mbyll!”
E dija, do të vije, pra ndeza dhe cigar’
Puthje dha e mori, e sytë, çfarë thanë sytë?

19.7.2017