Në fshatin midis maleve, lajmi vjen një muaj me vonesë.
Gjate rrugës pafajësohet: ai që vdiq shkoi doemos në parajsë,
e një grusht shteti “është vullneti i zotit”.
Përroi mbyt vetminë me vetmi. Imagjinata është rrëshirë,
që të mbron nga trupi. Përndryshe, pylli i rëndë i gështenjave dhe burrat e dehur,
gdhihen me shpatulla të ftohta ngjeshur pas murit.
Vajzat preferojnë martesat larg
për të lënë prapa, të paprekur,
bustin e pesëmbëdhjetëvjeçares.
Dhe përtej pesë fshatrave vijnë nuset,
nuset që do të lindin fwmijë- profetë
midis sanës dhe kashtës në plevicë. Ah, desha të them
vetëm njëri prej tyre do të jetë profet;
të tjerët do të praktikohen për të gjuajtur me gurë
(kjo është gjithashtu pjesë e profecisë).
Në një mesditë vjeshte si kjo,
ata do të dalin nga shkolla si një tufë e trazuar sorrash prej erës sw gjakut,
pwr t’iu vënë pas makinws – rrangallë të postës
deri në kthesë, kur ajo të zhbëhet në pluhur.
E pastaj do të shkojnë të vjedhin dardhët e egra në “oborrin e kurvës”
Askush nuk i ndalon. “Grua me dy burra… hak e ka!”
Midis dardhëve të egra në çantë – një roman,
me porosinë për t’u mbajtur mirë. Një “Ana Kareninë”,
që do të lexohet me padurim duke filluar nga faqja e fundit,
e pastër dhe e fisnikëruar si një lajm i vonuar.
Kam lindur prej shprese të vdekur;
si fija e barit
midis pllakave të trotuarit të paputhitura mirë.
Fjalët e para i mësova
pas dyerve
të paputhitura mirë.
Dritën e njoha
pas plasave të trupit
prej balte të papjekur mirë.
Dhe pa vështirësi mësova të këndoj,
si rryma e ftohtë e ajrit,
midis dy trupave të paputhitur mirë.
Prej një shprese të vdekur, drejt një tjetre,
së cilës, sa më shumë i afrohesh, aq më shumë të largohet,
si iluzione optike të ujit në shkretëtirë.
Të burgosurit,
të fajshëm e të pafajshëm,
kur dalin, kanë të gjithë të njëjtën shprehje në fytyrë
patriarkun e saporënë nga froni.
Tek kapërcente pragun,
ai përkuli kokën, pavarësisht gjatësisë së tij mesatare.
Të njëjtën gjë bëjnë beduinët
kur futen në tendën
që kanë mbartur gjithë ditën mbi shpinë.
Muret, perdet e pastra dhe aroma e gëlqeres
ndjellin ndjesinë e luftës së ftohtë
kur lufta sapo ka marrë fund.
Dhe të nesërmen çarçafët e tij u varën për ajrosje
në mes të oborrit, si pas natës së parë të dasmës,
njollat e virgjërisë.
Fytyra të nxira nga dielli
e rrethuan gjithë sy e veshë
‘Ç’ëndërr pe mbrëmë?’
Ëndrrat e të burgosurit
janë pergamena
që shenjtërohen prej kapitujve të humbur.
E motra, sapo i zbuloi një zakon të ri:
copa të fshehura buke nëpër xhepa e nën shtrat
dhe të prerit pa pushim dru për dimër.
Ç’ishte gjithë ky panik?
Çfarë mund të ishte më e keqe se vitet e burgut?
E drejta për të zgjedhur
Duke mos mundur.





















