Genta Bungo përfundon në Kushtetuese , ‘zuri’ karrigen e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi me shkelje proceduriale

Zgjedhja e Genta Bungos në postin e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese. Padinë e ka depozituar ish-kandidatja për këtë post, Rozeta Ivanova, e cila pretendon se gjatë procedurës parlamentare janë kryer shkelje.

Bungo u zgjodh më 7 maj 2026 nga Kuvendi, pasi mori 83 vota. Kandidatura e saj u mbështet vetëm nga socialistët, ndërsa Partia Demokratike votoi kundër.

Sigal

Ivanova, e cila ka qenë më herët kolege e Bungos në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kërkon shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e Komisioneres.

Në kërkesën e saj, ajo pretendon se Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka shkelur procedurat kushtetuese, pasi nuk i ka dhënë mundësinë të dëgjohej në një seancë të hapur.

Ish-kolegia e Genta Bungos në komisionin e vettingut, Rozeta Ivanova pretendon parregullsi gjatë procedurës së zgjedhjes së Komisioneres dhe kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 7 maj 2026.

Në fakt sipas Ivanovës ka qenë Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik i cili ka kryer shkelje kushtetuese kur nuk e ka dëgjuar atë në një seance të hapur. Por referuar seancës së datës 8 prill të vitit 2026 Komisioni e kishte ftuar Rozeta Ivanovën për tu dëgjuar por ajo nuk ka marrë pjesë në seancë!

Nga ana tjetër, sipas të dhënave për procedurën parlamentare,flitet se  Ivanova ishte ftuar nga komisioni për t’u dëgjuar në mbledhjen e 8 prillit 2026, por nuk ishte paraqitur.

Ivanova kishte njoftuar paraprakisht për pamundësinë e pjesëmarrjes dhe kishte kërkuar që dëgjesa të zhvillohej në një orar ose ditë tjetër. Sipas saj, kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë dhe për këtë arsye ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Padia është depozituar në ditën e fundit të korrikut. Relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja kushtetuese Marjana Semini.

Hapi i parë i takon Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, të përbërë nga tre anëtarë, i cili do të vendosë nëse ankimi plotëson kushtet për t’u shqyrtuar në themel. Në rast se çështja kalon këtë fazë, vendimi për themelin do të merret nga tetë anëtarët e Gjykatës.

Genta Bungo, e cila më parë ka ushtruar detyrën e komisioneres në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, u zgjodh për të zëvendësuar Robert Gajdën. Mandati i këtij të fundit në krye të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte përfunduar prej rreth dy vitesh.

Rasti i Bungos është tashmë rasti i dytë ku një zgjedhje e Kuvendit për një institucion të pavarur kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Pak javë më parë, edhe zgjedhja e Endri Shabanit në krye të Avokatit të Popullit u kundërshtua në Kushtetuese. Ankimin individual e kishte bërë Adriana Kalaja, e cila kishte qenë pjesë e garës për këtë post, por Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi kërkesën e saj.

Ndërkohë, zgjedhja e Shabanit vijon të jetë nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pas padisë së depozituar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.