Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti gjithnjë më falje

Ti gjithnjë më prisje nëna ime,

përgjoje trokitjet e orës së vonë,

NOA

mbaje vesh erën, shiun dhe hapat e mia,

mërmërisje këngë të vjetra,

dhe ndiqje hënën, që shkonte në pritjen e gjatë

mesnatën që vinte dhe të ulte qepallat

me një dorë shenjti,

ti dremisje kushedi në ç’ëndërr,

buzëqeshje në gjumë, si fëmijë,

muret e tua ishin plot mirazhe dhe fytyra etërish

të nesërmen të thoja se do vij më herët

e përsëri ikja me kuajt e mi,

harrohesha në bujtinat e largëta

rrugëve të bohemisë,

në kopshte dashurie e përgjërimesh,

e t’i prisje, prisje nën tymin e duhanit.

që të bënte të harroje vetminë.

Sa shumë të rëndonin mjegullat e kohës:

Im bir është si lumi, thoje ti,

lumenjtë shkojnë dhe nuk dinë të kthehen,

im bir është si deti që pret diellin të shuhet në të,

është erë që do të përqafojë skajet e botës…

Dhe bryma binte,

e ti shkoje

nëpër brymë në kërkimin tim,

shkelje në sheshe e udhë të panjohura,

kishe frikë nga nata e gjatë,

e zeza ku shuheshin yjet e gjithësisë,

pastaj lozje e qeshje me fëmijërinë time,

me pjellën e ngjizur nga dashuria e gjaku,

por të nesërmen ti më falje përsëri,

më puthje në gushë si të merrje frymë,

më merrje erë dhe përqafoje lumturinë,

e unë lozja me ty,

të krehja flokët e tu të thinjur që shndrisnin si argjendi,

të bëja të bukur dashuri e dhimbur,

ati im nuk ishte më,

merrja gishtërinjtë e tu t’i puthja

dhe ti qeshje, qeshje,

ati yt nuk m’i ka puthur kështu, thoje ti

dhe zemra jote hapej,

gjaku të vërshonte si në ditët e rinisë,

një det hapej brenda teje,

puthja plagët në gjinjtë e tu

një fushë e pamatë lulëkuqesh,

por shpejt unë ikja përsëri,

përsëri mirazhe në muret e tua

luhatur nën tymin e duhanit

shihje veten lehonë në ditë janari

tek nxitoje të festoje lindjen time,

dhe për natën e vonët përsëri më falje,

gjersa hëna ra dhe bota u shemb,

tek humbte në sytë e tu.

Tani ti s’je më e bukura ime,

tani gjithë psalmet e botës i këndoj për ty

për mallin e madh që kockat t’i djeg,

qumështin e bardhë që kam ende në buzë.