Më kujtohet mirë kur para disa vitesh kjo tablo u prezantua në një ekspozitë të Artur Muharremit në sheshin ballë kishës së njohur Saint Sulpice në Paris. Tablonë e mikut tim të vjetër e vështrova gjatë dhe kur u ndava me të, nuk di pse imazhi i asaj pikture më ndoqi për një copë kohë. Ndoshta ajo tablo ishte ngjizur në retinën e syve të mi dhe kishte lënë mbi të ngjyrat e saj okër dhe linjat e atij trupi të shtrirë në mbretërinë e paqes. «E bukur»! – thashë me vete duke menduar për forcën e krijimit për të na dhënë një shëmbëlltyrë tjetër të atij trupi që dikur ishte shtrirë para tij. Ecja kështu, kaloja pranë kafenesë në atë cep të Montparnasit ku shpesh shkonte Modiliani dhe s’di pse m’u shfaqën gjithashtu dhe trupat e shtrirë femëror të mjeshtrit të madh italian. Eshtë bukur të pikturosh trupin femëror, trupin e origjinës. Ka diçka ngazëlluese në gjithë këtë, është bukuria e jetës, e frymës dhe gjakut. Eshtë gruaja, krijonjësja, me një joshje sa humane aq dhe sensuale, ai trup i lëshuar në realen dhe mistikën e vet. Është trupi inert, aty, ballë nesh që merr frymë e pulson, që fle dhe zgjohet, që na shfaq atë dhunti të natyrës që quhet grua dhe ti ke ende dëshirë ta vëzhgosh, të udhëtosh mbi të, të zbulosh magjinë e krijimit të natyrës dhe të artit njëkohësisht, thjesht të kundrosh hiret, ato hire që mijra piktorë që nga ditët e para të Rilindjes, e kthyen këtë trup në diçka mitike, në atë të pjellës dhe krijimit të botës me fytyrat e Evës apo Venusit… Pra le t’i shijojmë këto shëmbëlltyra, pasi nëse trupat reale nuk do të jenë më të tilla, nëse ato do të drithërohen si pemët dhe në vjeshtë do t’i hedhin gjethet e tyre për të jetuar në një dimër të pafund dhe si rrjedhojë ato nuk do ekzistonin më, arti do mund t’u japë atyre përjetësinë, një tjetër jetë në botën e artit, ashtu siç na i dhanë piktorët e mëdhenj Masaçio, Botticelli, Ticiano, Rubens, Rembrandt e Cranach apo nudot dhe odaliskat e El Greco, Courbet, Renoir, Manet e qindra të tjerë. Vetëm arti i madh i bën këto trupa të jenë të pashlyeshme në kohë e hapësirë, në këtë endje të botës efemere që jetojmë.