Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Hapa një zarf të harruar…

346
Sigal

Hapa një zarf të harruar sikur hapa një arë me gjeste dashurie
Gjestet gjallërohen para meje, veç unë i njoh
S’e di brenda zarfit si hyre, veç di që po të shoh.
Hapa një zarf të vjetër ngjyrë lëkure pa diell
Si mund ti përballoj gjestet e tua: të qeshurën gurgulluese të burimit
Lojën tinzare që bëje me duart: gërshetoje rreze gëzimi.
Hapa një zarf të harruar – qiell i largët ku ti fluturon pa gravitet
Ma zgjat dorën tënde: nesër do bëhet degë molle
E ke lëkurën prej cipës së mollës e gjitha aromë molle vjen
Hapa një zarf të harruar në këndin e kujtesës: Atje ku errësira të gjen.
Më jep sytë, sytë të them: ato dy zarfe të vegjël përjetësisht të hapur
Ku veç lajme mëngjesi shkëlqejnë.
Hapa një zarf të harruar: pak fjalë, shumë shpirt
Dhe një errësirë e gjunjëzuar
Përballë ikonës së dritës.