Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Laze: Gjaku i gruas

156
Sigal

 

E kam shok të hershëm.

Por shëndeti dhe jeta bashkëshortore nuk i ka ecur mirë. U divorcua megjithëse kanë dy fëmijë të bukur e të zgjuar.

Një mbrëmje më telefonoi e më njoftoi se ndodhej i shtruar ne spital. Të nesërmen në mëngjes e takova. Mbi komodinë mbante libra, të cilat ai i pëlqen shumë.

Pas dy ditësh do të dilte i shëruar.

Ju mbusëen sytë me lot nga ajo që më tregoi.

– Mjekët më thanë se patjetër duhet të operohesha dhe kisha nevojë për gjak. Djali e vajza bënë çmos të gjendej. I thanë edhe nënës së tyre. Babi do operohet dhe ka nevojë për gjak. Ti ke të njejtin grup me atë. Mund ta ndihmosh babin dhe ne? Të lutemi mami!

Ajo ju përgjigj:

-Nuk keni pse luteni fare. Edhe nëse nuk do kisha grup gjaku, kam arsye madhore për ta dhuruar. Ai është dhe do jetë babai i fëmijëve të mi. Ju keni gjakun tonë. Ky është grupi me i fortë që më detyron ta dhuroj me kënaqësi. Do vij patjetër.

Në fund të rrëfimit shtoi sinqerisht:

-A ndahet një grua e tillë? Përveç se i sëmurë duhet të jem edhe i çmendur. Kur të dal do i kërkoj të falur. Ndoshta fati më ndihmon edhe njëherë tjetër. Ajo po më shëron shëndetin fizik dhe atë mendor. Nëse një ditë do të shkruash diçka, të lutem mua më fut në satirat e tua. Për gruan time shkruaj me dashuri. E meriton ajo princeshë!

P.s. Ngjarja ka ndodhur para katër muajsh. Tani çifti jeton përsëri bashkë me fëmijët.

Një ditë në kafe kujtoj se duhet të shkruaja në shenjë mirënjohje për gruan e tij. Dhe fjalën e mbajta. Uroj që ta mbaj edhe ai me të shoqen.