Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Metuku: Dasma e ”kryepleqve”…!

888
Rrëfimi i një miku…

Kushdo që dëgjon apo lexon këtë titull shkrimi, me siguri që do të mendojë për një humor mediatik. Në fakt nuk është kështu siç mund të mendohet, por është një realitet i pa kontestueshëm. Ndërsa një miku im udhëtonte drejt Jugut të Shqipërisë, një ndalesë e radhës, për koincidencë, i kishte qëlluar në një qendër fshati. Teksa ishte ulur për një kafe në lokalin e fshatit, dëgjohej edhe ahengu. Natyrshëm ai kishte shtruar edhe pyetjen, duke iu drejtuar një personi që ishte nga ai fshat: 

-Që paska dasmë, kjo duket dhe merret me mend, pra kuptohet, po kush martohet? – e kishte pyetur ai, thjeshtë për kureshtje. 

– Martohet ”kryeplaku”, ishte përgjigjur banori i fshatit. Ore, i ishte drejtuar përsëri ai banorit, duke i thënë se e kishte pyetur seriozisht, e jo me shaka, se kush martohet? 

-Edhe unë ta dhashë përgjigjen seriozisht, dhe po ta përsëris, se martohet ”kryeplaku” i fshatit tonë, ishte përgjigjur si me inat fshatari, atij mikut tim. – Nuk e kishte lënë me kaq, ai miku im, dhe e kishte pyetur përsëri atë banorin e fshatit. Tashmë e kishte pyetur, sa vjeç ishte ”kryeplaku” që po martohej, se i kishte vajtur mendja për keq, duke menduar dhe nënkuptuar se për deri sa ishte ”kryplak”, edhe mosha e tij duhej të ishte e madhe. Por nuk ishte kështu, se ”kryeplaku” që po martohej atë ditë, në atë fshat, i kishin thënë se ishte vetëm 20-vjeç! Teksa kishte marrë këtë përgjigje, nga pyetja që i kishte bërë atij banori, me thënë të drejtën ishte befasuar dukshëm, jo për faktin se ai që po martohej ishte në moshë të re, përkundrazi, ishte në moshën ”optimale”, se edhe në kohët e para, baballarët i martonin fëmijët e tyre në moshë të re, që t’ju vinin sa më shpejt në ndihmë nga ana ekonomike, por për faktin tjetër, se ishte edhe ”kryeplaku” i fshatit, dhe duke qenë si i tillë, fjala ”martesë”, ishte jo e përshtatshme. Pra, ai djalë, shkurt: Moshën për t’u martuar e kishte, por për të qenë ”kryeplaku” i fshatit, ishte fare i ri. Për moshën që kishte, vetëm 20- vjeç, për të qenë ”kryeplaku” i fshatit, jo vetëm që nuk i përshtatej aspak, por tingëllonte dhe ngjante si tejet absurde. Megjithatë, ai miku im si kalimtarë i asaj dite, në atë fshat ku kishte qëndruar të pinte një kafe, nuk mund të ”ndërhynte”, që dasma e ”kryeplakut”, të anulohej vetëm e vetëm se ishte 20-vjeç! Në fakt, ai mund të propozonte dy opsione ose alternativa: Nëse ai ”kryeplaku”, do të martohej, duhej të jepte dorëheqjen nga ajo detyrë, që të mos thoshin njerëzit, se po martohet ”kryeplaku” i fshatit, ose nëse ai do të mbante detyrën që kishte, atëherë nuk do të mund të martohej atë ditë, por atij do t’i duhej të priste edhe disa vite të tjera, deri sa të arrinte moshën që i përshtatet, që të quhet kështu, edhe ”kryeplaku” i fshatit. Në fakt, që të jemi të sinqertë, këtë ”lloji zgjidhjeje”, ai miku im, nuk e kishte marrë përsipër, sepse i kishte ngjarë si një ”inekuacion” i vështirë. Këtë mundë ta bënin vetëm organet kompetente, -tha ai. Nuk ishte vetëm ky rast. që më rrëfeu miku im. Faktet që emërtesën “kryeplak”, e bëjnë të papërshtatshme, janë të shumtë. Kështu, ndërsa ai shkonte në një fshat tjetër të Jugut, edhe atje dëgjohej ahengu i një dasme, i kishin thënë se martohej “kryeplaku”, dhe ishte 22-vjeç! Ndërsa, në një fshat të zonës së Veriut, i kishin thënë se “kryeplaku” kishte shkuar ushtar me pagesë, dhe se kishte mbushur 20-vjeç! Në një lagje qyteti, banorët i kishin thënë se “kryeplaku” ishte 19-vjeç, dhe se i kishte gjetur belaja me të, pasi gjithë ditën zhurmonte duke bërë spektakël me motor, rrugëve të lagjes! Ka dhe raste të tjera, -na thotë ai. Në një qytet bregdetar, për shembull, pas një mbledhjeje kishte mësuar se “kryepleqtë” e disa lagjeve, kishin prenotuar një mbrëmje në disko! Në një lagje të qytetit veriorë, detyrën e “kryeplakut” e kishte një vajzë 22-vjeçare, dhe, sipas funksionit, (por jo logjikës) ajo quhej “kryeplaka” e lagjes! Në një lagje tjetër, të po atij qyteti, kishte mësuar për një dasmë, i kishin thënë se ajo që martohej ishte një vajzë 25-vjeçare, dhe se ishte edhe ”kryeplaka” e lagjes, pra, martohej ”kryeplaka” e lagjes! Ai miku im kishte bërë vetëm një tur të shkurtër nëpër disa fshatra dhe lagje qytetesh, dhe kishte mësuar për një numër të konsiderueshëm dasmash, ku në shumicën e tyre, kishte rezultuar se po martoheshin ”kryepleq” dhe ”kryeplaka”! Po vallë, në të gjithë vendin, sa mund të jenë të tilla?! Nuk po vazhdojmë më gjatë, – më tha ai miku im,sepse raste të tilla ka plot dhe pafundësisht. -”Por një fakt dihet nga të gjithë. Në të gjitha fshatrat dhe lagjet e qyteteve tona, janë në veprim edhe kryepleqtë. Jo vetëm sipas traditës, por edhe sipas emërtesës zyrtare, me fjalën “kryeplak”, njerëzit nënkuptojnë një njeri të madh në moshë e në mendim, në përvojë e në arsyetim. Mirëpo, në afro 80% të rasteve, janë zgjedhur apo emëruar si “kryepleq”, djem të rinj, madje edhe vajza të reja, të moshës 20-25 vjeçare. Vetëm 20 % janë njerëz të moshuar që kryejnë detyrën e kryepleqve. Nuk shprehim ndonjë mosbesim tek të rinjtë, por në këtë detyrë, logjika e do që të jenë njerëz të moshuar e të pjekur, njohës e rregullator të problemeve të komunitetit. Që një 20-vjeçar të mos quhet më “kryeplaku” i fshatit, do të ishte më normale të quhej kryetari i fshatit. Që një 20-vjeçare të mos quhet më “kryeplaka” e lagjes, do të ishte më normale të quhej kryetarja e lagjes. Kjo padyshim kërkon ndryshim në Emërtesë apo në Nocion. Nëse do të mbetet në fuqi emërtesa “Kryeplak”, duke vazhduar kështu në traditën e vjetër, atëherë në krye të komunitetit në bazë, do të zgjidhen apo do të emërohen njerëz të mëdhenj në moshë, që t’i përshtaten edhe Nocionit, ose nëse kjo e fundit do të ndryshohet, atëherë në krye të komunitetit, si në fshatra ashtu dhe në lagjet e qyteteve, do të zgjidhen apo do të emërohen njerëz të moshave dhe kategorive të ndryshme” – përfundon rrëfimin e tij, ai miku im… 
Sigal