Suplementi Pena Shqiptare/ Libri “Kahreman Ylli” – pasqyrë e vlerave të tij të mëdha

709
Prof. Ismet Elezi
Autori i librit z. Petrit Myftiu që në faqet e para të tij, shfaq me madhështi ndjenjat njerëzore dhe vlerat e mëdha, nga të cilat është nxitur të shkruajë këtë libër. Libri në tërësi nuk ka formën e tregimit dhe as të romanit, por përshkohet nga metoda e hulumtimit shkencor, në kërkim të dokumenteve arkivore e personale, të shkrimeve e botimeve, të intervistave, për të grumbulluar sa më shumë fakte e prova, që të argumentojë tërë veprimtarinë e intelektualit të shquar Kahreman Ylli. Dhe këtë e fillon me një episod të vogël, por tepër domethënës, kur Kahremani shkoi në shkollën e Verzhezhës të Elbasanit sepse në fshatin e tij Lushnjë shkolla nuk kishte klasë të pestë. Babai i Petrit Ali Myftiut ishte mësues në këtë shkollë dhe njohu nga afër talentin e Kahremanit, si nxënës i dalluar dhe pikërisht për ta ndihmuar që të kryente klasën e pestë, me ndjenja të larta njerëzore bamirësie, e mori dhe e mbajti në shtëpinë e tij, jo vetëm sa kreu klasën e pestë, por edhe për kohën kur vazhdoi mësimet dhe kreu Normalen e Elbasanit. Në këto rrethana autori u njoh e u miqësua me Kahreman Yllin dhe krijoi marrëdhënie të ngushta me të dhe familjen e tij. Duke ruajtur në mendje e në zemër shembullin e të atit dhe ndjenjat miqësore ndaj Kahremanit, për të shprehur respektin ndaj kujtimit të tij, pasi ai ndërroi jetë (1975), Petriti i vuri vetes si qëllim që të shkruante këtë libër, për të vënë në dukje vlerat e mëdha të tij. Sigurisht që kjo ishte punë tepër e vështirë, që kërkonte jo vetëm përkushtim, por edhe përgjegjësi të madhe, të shkruash për një intelektual të shquar, t’i paraqitësh të vërtetat, ashtu siç kanë qenë. Janë meritat dhe vlerat e mëdha të Kahremanit që i dhanë mundësinë autorit – Petrit Myftiut, të paraqesë këtë botim me shumë interes për lexuesin. Mjeshtëria e autorit qëndron në renditjen kronologjike e metodike të tipareve kryesore të veprimtarisë së gjerë, duke gjurmuar, evidentuar e saktësuar në çdo hap, bazuar gjithmonë në prova e në fakte. Kahreman Ylli përfaqësonte tiparet karakteristike dhe virtytet e popullit të Skraparit: burrërinë, trimërinë, patriotizmin, idealin kombëtar, të frymëzuar me rrezet e kulturës e të qytetërimit francez – sjelljen korrekte shembullore me të gjithë, respektin për njerëzit, urtësinë e qetësinë në marrjen e vendimeve. Për të vënë në dukje disa prej tyre, autori përshkruan vlerat mësimore, kulturore, ku ai kreu jo vetëm shkollën Normale të Elbasanit, por edhe shkollën e lartë Pedagogjike në Lion të Francës, ku zhvilloi edhe veprimtari patriotike së bashku me shqiptarë të tjerë. Pasi u kthye nga Franca dashurinë për lirinë e Atdheut e shprehu me pjesëmarrjen aktive në Luftën antifashiste Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit fashistë. Një vend të veçantë në autobiografinë e tij, ku përshkruhet në libër është veprimtaria e gjerë që ka kryer Kahreman Ylli në funksione të larta shtetërore, ministër e zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit e Kulturës. Kontributi i tij ka qenë efektiv edhe në fushën e diplomacisë. Kahreman Ylli vitet e fundit të jetës së tij u ngarkua me detyrën e lartë e të rëndësishme të drejtimit të Universitetit shtetëror të Tiranës. Këtu pata fatin dhe nderin të njihem nga afër me të dhe të ruaj respekt e nderim të thellë ndaj kujtimit të tij. Për shkak të detyrës që kisha – Sekretar Shkencor i Universitetit dhe i Këshillit Shkencor që me krijimin e tij (1957), kisha lidhje e bashkëpunim të përditshëm, për ta informuar rreth përbërjes e programit të Këshillit shkencor, si dhe për ecurinë e punës shkencore në fakultete e universitete. Të gjitha takimet tona kalonin me korrektësi dhe respekt reciprok, me komunikim krejt të lirë dhe kritik për çdo problem të pazgjidhur. Edhe në mbledhjet e rektoratit, ku merrnin pjesë dekanët e fakulteteve, Kahreman Ylli shquhej për qëndrimet e tij korrekte, për mendimet e propozimet e argumentuara, për vlerësimin e mendimit ndryshe. Për të gjitha këto ai gëzonte autoritet e respekt nga të gjithë pedagogët e studentët. Jeta në universitet mori gjallëri dhe frymë të lirë, filloi debati për zgjidhjen e problemeve të mprehta. U zhvillua ndjenja e përgjegjësisë dhe përforcua kërkesa e llogarisë në nivele të ndryshme. Rritja e nivelit të mësimdhënies mori përparësi të madhe, për të cilën Kahreman Ylli ishte tepër kërkues. Masat edukative të shoqëruara me kontroll sistematik dhanë rezultatet e dëshiruara. Këto i dedikoheshin organizimit dhe drejtimit të mirë të rektorit të universitetit – Kahreman Yllit – rektorit shembullor. Roli i tij në marrjen e vendimeve në Këshillin Shkencor ishte vendimtar. Për këtë bashkëpunim dhe konsideratat e mia të larta për rektorin e respektuar e të nderuar Kahreman Yllin, i kam shprehur edhe në intervistën e botuar në librin e z. Petrit Myftiu, të cilin e falënderoj për paraqitjen me korrektësi e saktësi të saj. Nuk mund të përmblidhen të gjitha meritat dhe vlerat e njeriu të kulturuar në një shkrim, por libri i z. Petrit Myftiu ia ka arritur qëllimit të paraqesë figurën e shquar të Kahreman Yllit në disa dimensione të rëndësishme. Për këtë bindet çdo lexues i librit. Unë e përshëndes dhe uroj sinqerisht z. Petrit Myftiun për botimin e librit dinjitoz, ku emri dhe vepra e Kahreman Yllit mbetet monument i gjallë.


Sigal