Suplementi Pena Shqiptare/ Prof.Ass.Dr. Spiro Mëhilli: Qafa e Gjarprit

950
Sigal

Në lindje të Tomoricës shtrihet një qafë mali që lidh krahinën e Oparit me atë të Tomoricës që vendasit e quanin “Qafa e Gjarprit”. Emri i saj u bë i njohur në saj të mësymjes së përgjithshme gjermane, në qershor të vitit 1944. Meqë ajo zonë ishte e pasur me humus, në vitin 1976 u mendua që aty të mbillej patate. Çuditërisht atë vit prodhimi kishte kaluar çdo parashikim. Fatkeqësia ishte se me kuaj dhe me gomarë nuk mund të transportohej prodhim i bollshëm. Kështu u vendos që të hapej një rrugë e kalueshme për makinat që të shkonte nga ‘Qafa e Gjarprit’ deri poshtë në luginën e Tomoricës, më tej në Gjerbës dhe drejt e në Çorovodë. Atë rrugë u vendos ta hapte Brigada Ura-hedhëse e Kavajës. Ushtarët me kazma dhe me lopata hapnin trasenë dhe shtronin gurë që i merrnin nga lumi. Ishte fundi i tetorit të vitit 1967. Një natë ushtari rojë u afrua tek çadra ku flinte mjeku i brigadës dhe tha:

– Doktor, të kërkon një fshatar.

Mjeku me sy të përgjumur doli nga çadra. Para tij qëndronte një mesoburrë. Pa arritur ta pyeste se përse kishte ardhur, ai duke u dridhur tha:

– Doktor të lutem më ndihmo! Nënën e ka hedhur mushka në ferra dhe më pas e ka goditur me shkelma. Është në gjendje të rëndë, kam frikë se mos vdesë!.

Mjeku mori çantën e ndihmës së shpejtë dhe tha:

– Shkojmë.

Errësira ishte e plotë. Fshatari printe përpara me një fener në dorë dhe mundohej të ndriçonte sadopak udhën nga do të kalonin. U desh rreth gjysmë ore që të mbërrinin në fshatin Potom, diku në lindje të Çorovodës. Nga brenda dëgjoheshin ulërimat e grave:

– Nënë, nënë!

– Nënë, hapi sytë!

Një kandil ndriçonte mbyturazi mjedisin e brendshëm. Njëra nga gratë pasi vuri re vëllanë e saj me një të panjohur, që e mori me mend se kush duhej të ishte, bërtiti:

– Pushoni! Erdhi doktori!

Dhoma ishte e thjeshtë, me dysheme prej balte mbuluar me hasër e në mes të saj, një shtrat dërrase ku qëndronte shtrirë një grua e moshuar që bërtiste nga dhembjet.

– Hapuni! – tha shoqëruesi i mjekut.

– Si është puna?

– Doktor, nënën e hodhi mushka, ja aty në ferra, – tregoi me dorë njëra nga gratë në drejtim të vendit ku nëna e tyre duhej të kishte rënë, dhe vazhdoi: – pasi mushka e ka rrëzuar, me pas e ka tërhequr zvarrë dhe e ka goditur me shkelma. Shikojeni, kudo ka gjak, nga koka në këmbë. E mjera ajo!

Mjeku u afrua pranë shtratit ku e moshuara dergjej nga dhembjet dhe, duke mos pasur mundësi ta shikonte siç duhej, tha:

– Afrojeni kandilin!

Një nga burrat e mori kandilin nga oxhaku ku e kishin vendosur dhe e afroi pranë shtratit. Gjuhëza e tij shkonte sa para-mbrapa sipas lëvizjeve të ajrit që futej në dhomë nga dera e hapur. Kudo ai pa të gërvishtura, hematoma, plagë të hapura. Pasi e mori veten nga situata ku ndodhej, hapi çantën, nxori prej saj dy ampula me qetësues dhe, pasi ia injektoi asaj, u drejtua nga burrat e shtëpisë:

– Nëna është shumë rëndë. Po e mbajtët këtu mund të vdesë.

– Doktor jemi në dorën tënde!

– Duhet dërguar në spital, në Çorovodë.

– Me se ta çojmë. Qyteti është larg.

– Do t’ju ndihmoj. Makina këtu nuk vjen dot. Të vijnë dy burra me mua t’u jap një barelë që nënën ta sillni në repart.

Gratë vazhdonin ritin e të qarit “nëna, nëna…”. U desh rreth një orë që ata ta çonin nënën e tyre në repart, aty ku ndodhej autoambulanca, që në pamje dukej e re, por në të vërtetë ishte nga ato që kishin marrë pjesë në luftën e Koresë dhe, pasi ishin riparuar e lyer me bojë, ishin sjellë nga Kina për ushtrinë shqiptare. Shasinë vende-vende e kishte të dëmtuar nga minat që kishin shpërthyer poshtë saj. Jashtë bënte ftohtë. Ndërkohë filloi të binde një shi i imët që vështirësonte rrugën nga Qafa e Gjarprit deri poshtë në luginën e gjerë që e përshkonte lumi i Tomoricës. Diku makina ngeci dhe desh u batua.

– Doktor…?!

– Mos kini frikë.

– Do Zoti nuk ka ra shi sipër e të sjellë prurje të mëdha uji, sepse do e kemi të vështirë ta kalojmë lumin, – tha njëri nga fshatarët shoqërues.

– Meto, me kujdes! Ti e di më mirë se unë, – i tha mjeku i repartit shoferit të autoambulancës.

Përballë ngrihej i egër, i zymtë por krenar Mali i Tomorit. Autoambulanca lëvizte, ngecte e përsëri lëvizte. Me vështirësi u kalua lumi që fatmirësisht kishte pak ujë dhe iu ngjitën të përpjetës për në Gjerbës. E moshuara vazhdonte të rënkonte. Mjeku mundohej ta qetësonte. Në të gdhirë arritën në Spitalin e Çorovodës.

Pas tre ditësh, mjeku i repartit u ndodh në Gjerbës dhe u fut në lokalin e vetëm që kishte aty për të pirë një kafe. Në një tavolinë, andej nga qoshja, një person që ai nuk e njihte, ia bëri me dorë. Ai shkoi dhe u ul përballë tij.

– Doktor, jam operativi i zonës.

– Mjeku i brigadës së Kavajës, – ia preu shkurt ai.

– U lodhët me nënën nga Potomi?

– Bëra detyrën.

– Të të pyes, çfarë pati?

– E kishte masakruar mushka, kështu më thanë.

– Po ti, si mendon?

– Të them të drejtën e kam të vështirë. Dhoma ku ajo qëndronte ishte e vogël. Burra dhe gra e kishin rrethuar. Kandili që përdorej për ndriçim villte një flakë të zbehtë. Kur nënën e vizitova, konstatova se ajo përveç goditjeve kishte edhe plagë të hapura. Kudo ishte i pranishëm gjaku. Nuk di se ç’të them. U mundova me sa mundësi që kisha t’i jepja ndihmën e parë.

– Atëherë po ta them unë. Nënën e kishin goditur me sende të forta djemtë e saj dhe për të humbur gjurmët e kishin hedhur në ferra dhe më pas e kishin tërhequr zvarrë. Për pasojë ajo ishte gërvishtur dhe ata e paraqitën rastin sikur mushka e kishte hedhur dhe e kishte goditur me shkelma. Ata tani janë arrestuar. Do dënohen për krimin që bënë.

– Familjarët nuk më treguan të vërtetën.

– Kujt ia mbante.

– Cila ishte arsyeja?

– Atë s’e them dot. Do e sqarojnë hetuesit.

– Të flasësh pas beteje, është e thjeshtë. Por në situatën që u ndodha e kisha të vështirë të gjeja shkakun e vërtetë. Për mua, rëndësi kishte t’i shpëtoja jetën, se me të tjerat, sikundër e thatë edhe ju, merren organet kompetente. Mos harroni se ku ndodhesha dhe çfarë mundësish kisha.

-Detyra e mjekut është sa e vështirë aq edhe e shenjtë, – tha ai për të mbyllur bisedën.

Çuditërisht atë vit prodhimi i patates u përgjysmua dhe në vazhdim toka nuk dha më rendiment. Organet shtetërore vendosën që atë zonë t’ia kalonin fshatit. Fshatarët mallkuan veten se Qafa e Gjarprit nuk vlente më për kullotë e jo për t’u mbjellë me drithëra.