Suplementi Pena Shqiptare/ Lejla Kokona: “Mes dashurisë dhe tragjedisë”

690
Sigal

Ani u nis me shpejtësinë e erës për Tiranë. U akomodua në një hotel aty pranë Turizmit. Mbrëmja kishte boshatisur plazhin, i cili ishte pushtuar nga heshtja si një vend i shkretë e pajetë. Pasi mori çelësat e dhomës ,hyri shpejt, hapi dritaren e cila binte nga bregdeti. Ndaloi duke vështruar detin e qetë sikur flinte në shtratin e tij ujor e të blunjtë. Dalloi disa silueta çiftesh të rinj që venin e vinin e ku pasqyroheshin në sipërfaqen e detit si njerëz viganë të trupëzuar në një, si monumenti i Frans Kafkës në Pragë që lëviz e formëson fytyrën e tij në pozicione të ndryshme. Dëgjonte shushurimën e dallgëve tek përplaseshin në breg lehtë si me dembelizëm ,të mefshta. Mendjen e mbante tek takimi i të nesërmes. Imazhi i saj e shoqëronte kudo e kurdoherë. U shtri mbi shtrat. Qetësinë e natës ia prishte zhurma e sustave të prishura të krevatit që cingërinin sa herë ai rrotullohej nga njëri krah në tjetrin dhe lëvizja e lehtë e perdes nga një fllad fare pak i freskët i bezdisshëm që vinte nga dritarja e hapur. Ndjente kënaqësinë nga bardhësia e çarçafëve të aromatizuar dhe kërcitja e tyre nga hekurosja deri sa zhaurinin nga ngrirja. Pas shumë ofshamash e psherëtimash e zuri gjumi i ëndrrave.

Agimi i asaj dite gdhiu paksa i vranët. Ani u ngrit nga shtrati. Vrojtoi orën i trembur duke menduar se koha mund të kishte fluturuar pas një gjumi të thellë nga lodhja e mendimeve dhe rruga e largët. Qëndroi jo pak kohë duke u kuruar përpara pasqyrës dhe në mendje ëndërronte takimin e saj të ankthshëm, të përmallshëm dhe të vështirë. Doli në breg të detit i kujdesshëm të mos binte në sy të babait të Frosinës. Plazhi filloi të popullohet dalëngadalë. Shpejt rëra filloi të ngrohej dhe kokrrizat e saj po shkëlqenin nga rrezet e diellit të cilat thyheshin në to e shumëfishoheshin çuditshëm sikur ishin perla të sapo shpërthyera nga guaskat  e tyre. Mbi kokën e tij filloi të ndjente ngrohtësinë vrastare të rrezeve përvëluese të diellit. Vendosi dorën mbi kokën e tij. Shpejt u kujtua se ishte harxhuar kot të blinte një kapelë plazhi vetëm për atë ditë.

– E dreq o punë! Ç’e harrova në dhomë atë djall kapelë! – dhe vazhdonte të ecte me hapa të mëdhenj në rërë. Ora kishte vajtur dhjetë. Filloi të ndiente ankth nga padurimi. U sistemua vetë në një çadër. Zhveshi rrobat duke i vendosur me kujdes të mos zhubraviteshin. Sytë i mbante drejt hotelit ku ata ishin akomoduar. Frosina e pikasi që larg. Kishte qëndruar ulur në bregdet palëvizur dhe me sy nga bregdeti. U ngrit dhe me zë të lartë iu drejtua babait se po shkonte tek një shoqe që sapo e kishte parë. Nisi pak drejtimin gjoja majtas për tek shoqja, por në fakt më pas u kthye djathtas nga Ani. Hyri në det  e djersitur e tëra, duke  u ruajtur nga vëmendja e shikimi i kujdesshëm i babait të saj merakli i tepruar apo më mirë të thuash fanatik i tillë. Nuk po mundte të duronte nxehtësinë përvëluese të rërës dhe takimin me Anin. Nga pas e ndiqte Ani i vëmendshëm duke dashur të mos e pikaste askush dhe duke mos i prishur punë vetes dhe Frosinës. Ani filloi të notojë me fuqi të ripërtërira, plot energji e i qetë. Frosina si pa përvojë në not, e shoqëronte me gulçima nga frika thellësisë së ujit. Ajo i bënte me shenjë të qëndronte pas një varke që kish qëndruar afër bregut. Por Ani nuk u bind pasi nuk e ndjente veten të sigurt. Atje sigurisht nuk do t’i shpëtonte dot përqendrimit të syve ngultas të prindërve të saj. Ecte e hidhte sytë nga ata dhe nga çadra ku kishte vendosur rrobat e tij.

– Mos shko larg Ani! Të lutem, nuk di mirë not. Kam frikë nga thellësia. Dua të eci në këmbë, nëse nuk më takojnë këmbët me tokën nuk mund të vazhdoj më, kthehem pas.- U afruan  fare pranë njëri – tjetrit. Ani filloi ti përkëdhelte lehtë nga pas shpine flokët në fshehtësi.

– Sa shumë e kam ëndërruar këtë takim Frosinë! Ç’ndodhi me ty, pse s’u bëre më e gjallë? Dua të përqafoj. Kam shumë mall Frosinka ime! Hë si thua?

– Jo Ani, terreni nuk është në favorin tonë. Edhe unë doja të shuaja mallin por kemi shumë sy që s’u shmangemi dot.

– Mirë, ecim dhe ca më larg . Unë po vazhdoj përpara dhe ti ngadalë pas meje. Unë do të ndjek me sy. Nëse shikon se rrezikon më thuaj, ngri dorën lart. Ani filloi të notonte duke bërë lloje të ndryshme noti. Frosina qëndroi ca metra larg . Nuk po guxonte më të avanconte më tej. Qëndroi deri atje ku uji i shkonte deri në fyt. Filloi të dridhej nga frika. Mendoi të priste pak sa të mos e ndiqnin dot më sytë e prindërve të saj. Koha filloi të vrenjtej e disa re të zeza u shfaqën si me magji e papandehur. Befas një dallgë e lartë u shfaq dhe e mbuloi pa kuptuar. Tentoi të ngrihej . U shfaq sërish tërbimthi një dallgë tjetër që e turbulloi keq Frosinën. Po ashtu dhe disa dallgë të tjera pa pushim shfaqeshin si dragonj gojëhapur të uritur. Ani ktheu kokën. Ajo nuk dukej. Dëgjoi  një tingull që po shuhej. I përngjante zërit të ndonjë shtojzovalleje. Ishte zëri i Frosinës i fragmentuar prej dallgëve që përplaseshin pa pushim e pamëshirë në trupin e saj të njomë e të brishtë. Vazhdonte  shpejtësia e dendësia e saj, ngjasonte me kataraktin e Niagarës. Ajo vazhdonte kërkonte ndihmë. Ani tentonte vazhdimisht të çante mes dallgëve të tërbuara që  sa vinin e shtoheshin me furi. Arriti të dëgjonte zërin e Anit sikur i vinte nga ndonjë humnerë e thellë që i  thoshte:

– Mos u tremb Frosina, erdha!

Deti filloi të bëhej dhe më i trazuar. Shkuma e bardhë e dallgëve, forca e madhe goditëse e trullosi dhe atë keq sa nuk arriti dot të ngrihej të vazhdonte notin drejt saj. Filloi dhe ai të përpëlitej e llokoçitej duke shpresuar se do të përballonte mbi ato dallgë gjigante e vrastare dhe të pamëshirshme. Ndjenin ujin që gurgullonte në gurmaz duke bllokuar keq frymëmarrjen. Klithmat e saj për ndihmë, bënë të humbiste më shumë koshiencën. Nuk arrinte  t’i shpëtonte kthetrave të dallgëve që përplaseshin me tërbim e furi mbi trupin e tij. Trupat e tyre tashmë po vërtiteshin si një lodër prej tape nën dallgët që shfrynin  zemërimin e tyre. Nuk po kuptonin pse mbi kurmin e tyre. Humbën ndjenjat dhe bashkë me to lidhjen me këtë botë. Tashmë shihnin e ndjenin ndryshe. Pas vuajtjesh e dhimbjesh të sikletshme përjetonin çuditshëm një ndjesi të pakapshme paqeje. Tashmë ranë në një qetësi e kënaqësi, në një çlirim të brendshëm ku vetëm  ndjenin veten në një vend të rrethuar kudo  me lule aromëplota .Ranë në kllapi. Shihnin dritë që prej së përtejmes. E vetmja lidhje që i mbante me botën tokësore, ishin afishet e vdekjes së tyre nëpër shtyllat e rrugëve, që shumëfishohen e regëtinin me një rrugëtim të ftohtë që llamburiste qetësueshëm. Imagjinonin njerëzit që i shihnin dhe shprehnin keqardhje për moshën e tyre të re. E donin jetën dhe luftuan sa mundën për të. Por kthetrat e vdekjes i kishin rrëmbyer keq për fyti duke i marrë dhe fillin e fundit të frymës së tyre.

Kur ndodheshin në fund të udhëtimit transhendental, kur mbërritën në zgrib me të përtejmen dhe dyert e zeza po hapeshin, panë një dritë dhe një engjëll. Të dy njësh të trupëzuar. Ishte gruaja e mirë, nëna, mikja, njeriu, ishte humanizmi i mjekes Rushene Golemi Kazanxhi që iu  afrua nxitimthi, me kostumin e banjës e kapur në dy duart dy vajzat e saj të vogla binjake,I ris dhe Inis, dy bukuroshe që mbetën të tmerruar nga pamja tyre. U shfaq aty si një engjëll, ose engjëlli shpëtimtar ishte futur aty në të, në qenien e saj. I nxorën nga uji. Njerëzia u grumbulluan rreth tyre tërë pezm e meit në fytyrë, nga pamja makabre e vdekjes. Askush nuk guxonte të afrohej, thua se kishin frikë nga molepsja e ftohtë e mortit. Befas dëgjuan një zë, si zëri që thërriste në shkretëtirë.

-Hapuni! Hapuni! Jam mjeke! Jam mjeke! Dëgjoni njerëz? Jam engjëll…po sjell frymën…

– Është e kotë. Kanë mbaruar, kanë mbaruar të dy. Mos i prek! Nuk i shikon se kanë vajtur?! – dhe kishin të drejtë, ata vërtetë kishin vajtur, kishin mbaruar. Edhe vetë mjekja Rushene Golemi Kazanxhi e dinte se kishin vajtur, por nuk mund të linte pa provuar e tentuar dhe shpresën e fundit e humanizmin e saj, profesionalizmin e saj të shkëlqyer. Ajo vinte nga …dhe shkonte aty, ku vdekja s’ mund të jetë. U ul në gjunjë . Arriti të bënte frymëmarrjen artificiale gojë më gojë. U mbylli hundën derisa ata filluan të nxirrnin ujin dhe ushqimin pa pushim në gojën e asaj gruaje, asaj nëne të dhimbsur e humane, asaj mjekeje… Ata u rikthyen në këtë botë. Filluan të jetonin në dimensionin e jetës, në saj të engjëllit tyre me ato flokë e zemër të bardhë, por me duar e mendje të artë, se jeta ishte zanati i saj, pse jo natyra saj e dytë. Ajo i riktheu me frymën e saj dhe me ato duar të buta e të ngrohta, me të cilat Zoti i ka blatuar vetëm nënat. Ajo u bë nëna tyre e dytë. Nëna tyre e mirë u fali jetën kur lindën, kjo tjetra, ua riktheu kur e humbën atë ditë të mbrapsht vere. Pasi i shpëtoi iku në punën e saj pa pritur falënderimet apo… Kurrë nuk u panë më. Të nesërmen e asaj dite, një surprizë e bukur e befasoi këtë mjeke. Humanizmi dhe profesionalizmi i saj mahniti të gjithë duke lexuar faqet e gazetave të asaj kohe, ” Drita” dhe “Bashkimi “. Profesionalizmi i mjekut triumfoi mbi vdekjen….