Suplementi Pena Shqiptare/ Kostandin Dhamo: Duke shkuar te Lasgushi

193
Sigal

 

           12 Nëntor 1987

Vdiq Lasgushi dhe, ne u nisëm drejt tij ! Por sa shpengueshëm e kaloja nëpër mend, apo edhe e shqiptoja fjalën e zezë vdekje! Siç duket, në rastin e Lasgushit,ajo nuk ta shkaktonte atë dhembjen e thellë ligështuese… Me një fytyrë tërë rreshta rrudhash të pafundme, t’alfabetit mistik të mençurisë dhe, me sytë të mbetur përgjithmonë të kaltër,të kaltër, m’u si ai qielli i majit, pas shirave të shkëndijshëm, Poeti më shfaqej përpara jo i vagullt, por besueshmërisht i lëndët dhe i cekshëm, me dorën e ngritur lart për një përshëndetje lamtumire dhe, me një nënqeshje ndër buzët e pjerrësuara, e cila nuk iu shua kurrë. Ishte sarkazëm ajo nënqeshje, njëherësh edhe mahi, të përftuara mesa duket, që kur në jetë  pësoi zhgënjimet e para në dashuri e miqësi, e megjithatë poezia e tij është dashuri…

Po shkonim te Lasgushi

Të heshtur dhe të menduar.

Përgjatë Shkumbinit, në krah të të cilit shtillej rruga që po përshkonim, rrëzëllinte vjeshta me një dritë të praruar, të qetë dhe të përmbajtur si dekor ceremonish funebre, teksa era e herëpashershme, plot ahte dhe ngashërime, dikonte mbi rrufullat e ujërave të fryrë, gjethet, gjethet e krahasimeve të pambarueshëm të poetëve…

Të heshtur e të menduar

Po shkonim te Lasgushi.

Lajtmotivi i gjetheve që binin

Ngado regëtinte…

Atje, në Pogradec, buzë liqenit prej loti, apo majë degëve rënkuese të mështeknave të shkundura, nuk do t’i gjenim më lejlekët dhe zogjtë këngëtarë; ata sigurisht që mungonin tashmë dhe, nuk do t’i shihnim, ashtu siç nuk sheh më edhe atë dashnoren e zëmëruar që nuk del më në takim…

Po shkonim te Lasgushi

Të heshtur e të menduar

Por gjer ku do ta ndiqnim ?

Pas varrimit, me t’u deklamuar shtërgu i fundit,që është kthyer në një de profundis i vërtetë shqiptar, aq më tepër ngaqë lutjet e mirëfillta të teksteve të shenjta, as që guxonte t’i zinte ende njeri me gojë, edhe pse vetë diktatori i pafe, tashmë ka mëse dy vite e gjysmë që ka vdekur, do të lëshohesha i vetëm nëpër Pogradec, i cili, më të perënduar tretet e bëhet një akuarel flu i ëndërrt, kurse hëna tutje, pas kallamishteve frushulluese, është ajo nimfa lakuriqe që fshihet – shfaqet rrëshqitshëm tek lahet ledhatueshëm mes ujërave me natë…

Do të lëshohesha, do të lëshohesha, nëpër Pogradec ! Ah, çfarë do të thotë për një qytet të ketë një poet ! Një poet të madh lirik që të përjetëson po aq sa edhe vetë emrin e tij ! Po si është pikërisht ky qytet, kur një ditë mbetet pa poetin e tij ? E çutitshme: e gjithë popullsia e tij është ende aty, e paprekur dhe e papakësuar, e megjithatë, sesi e përfshin një zbrazëtirë dhe, një varfëri që ndihet ngado e nuk shmanget, madje, duke qenë shpirtërore, është më e pikëllueshme se vetë varfëria materiale. Por ç’po them? Shpesh një qytet, sidomos i përmasave të kursyera si Pogradeci, duket i boshatisur dhe aspak tërheqës, edhe kur prej tij largohet qoftë edhe një femër e bukur, fatalisht e bukur, me një bisht komete prej pluhurizash yjesh vetëtitës nga pas, të qendisur pandalshmërisht nga historitë, legjendat dhe thashethemet, të cilat,duke mos qenë të vërteta, bëhen intriguese dhe përndezëse të fantazisë… Mendo pastaj, sesi është përjetuar nga qytetarët e tyre syrgjynosja kërcënuese e fenomenit Ovid, e fenomenit Dante, e fenomenit Khajam !  Sot, biografitë e tyre dramatike të tronditin dhe të revoltojnë ende, por kohët moderne, nuk sollën aspak paqe dhe fat më të mirë për poetët: historia të çmëson, i mbyllin librat e tyre disa filozofë, por unë po them se, kujtimi i Poetëve, adhurimi dhe nevoja për ta, nuk shuhen kurrë dhe nuk janë asnjëherë efemere…  Sa herë kam vajtur në Pogradec ,fjalët e para që më kanë thënë miqtë e mi me të mbërritur aty, kanë qenë për Lasgushin. Oh, ai tashmë ndodhet në Tiranë; ti e di që atje ka një shtëpi tjetër mes pemëve, në krah të rrugës Ali Demi. Ose : Lasgushi është këtu te ne ; ta shohësh sa mirë mbahet ! Në fytyrë ka aq shumë mendim sa të duket sikur dialogon pa ndërprerje me dikë… Miqtë e mi e dinin që unë nuk kisha as edhe një përshëndetje rutinore me Poetin , e megjithatë çdo herë që më piqnin, më rrëfenin e më rrëfenin për të. Eh,ajo shtëpia e Lasgushit në Tiranë, pa dyshim me avlli të shembur, sepse si mund të kishte mur mbyllës oborri i saj ? Por shumë gjëra për të s’i dinin ende miqtë e mi pogradecarë… Ajo ndodhej fare pranë shtëpisë sime dhe për ne kalamajtë e mëhallës ishte shumë e njohur, jo ngaqë aty banonte Poeti, të cilin ne atëherë as që e njihnim për të tillë, por ngaqë n’atë oborrin e saj, kishte kumbulla të mrekullueshme italiane, siç quhej gojarisht ai varietet dhe, ne s’reshtnim së këputuri kokrrat, gjersa në pemë mbeteshin vetëm gjethet. Mendo, çfarë situate surrealiste. Poeti dilte e na hakërrehej,tek na hidhte ndonjë të sharë,ashtu si kot,teksa ne largoheshin e qeshnim hareshëm. Mirë Lasgushin që s’e dinim ende kush ishte, por ne të prapët kishim drejtoreshë shkolle zysh Nafijen, bashkëshorten e tij ! Për Zotin sot, kur i kujtoj episodet majë kumbullave të Lasgushit, jam i sigurt që ai, tek na lëshohej neve, çlironte nga vetja një pjesë të stresit; po po, kur hynte brenda pale si qeshte me vete… Por në kryeqytet Poeti ishte i dëbuar institucionalisht: shpërfillej qëllimisht dhe injorohej me harresë, duke mos e thirrur e duke mos e ftuar n’asnjë veprimtari letrare që organizonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pale pastaj në ato koncertet, të cilët jepeshin me rastin e përvjetorëve jubilarë të çlirimit t’atdheut, apo të themelimit të Partisë… Në këto koncerte, përreth Enver Hoxhës, që i ndiqte gjithmonë në sallë, zinin vend shkrimtarët dhe artistët zyrtaristë, të cilët, si rregull,duhet ta ruanin kallajin e buzagazit në fytyrë, gjersa të tokeshin me Udhëheqësin, fill pas ekzekutimit të valles monumentale O fest’ të madhe, o ka sot Shqipnia, e cila përmbyllte edhe koncertin protokollar… Eh, Lasgush, poet intimist i fluturimeve të zogjve të përmalluar shtegtarë dhe i zogjve të kopshteve, që dimërojnë mes kriptogrameve të degëve të zhveshura, ti as që mund të përfytyroheshe n’ato mjedise me britma entuziazmi fals dhe të përmbytur nga kuqërrimi hemorragjik i cohës së stendave, podiumeve dhe parullave marksiste – leniniste.

Por ti kishe Liqenin

Ku ngjyeje penën

Liqenin

Librin e Hapur të Poezisë !

Edhe në Pogradecin e tij, me të cilin formoi emrin e penës, Poeti gjithashtu u kalonte tangentalisht institucioneve shtetërore. Vetë kryetari i Lidhjes, kur shkonte në Pogradec për pushime, apo më së shumti për t’u takuar me anëtarët e qytetit në mbledhjet e zgjeruara, ku analizohej krijimtaria letrare e tyre dhe, u jepeshin porosira për të trajtuar tema të mëdha me partishmëri, i bishtnonte me nervozizëm takimit me Lasgushin, kur dikush ia kujtonte ashtu si pa dashje se, edhe Poeti ndërkohë ndodhej në Pogradec: e mo’, sesi është ai njeri; e kam thënë edhe tjetër herë, e luan keq e nuk i shkon ajo molepsja gjoja nga taedium vitae, e cila u përvetësua si modë interesante e të paraqiturit në shoqëri, e veçanërisht para femrave nga djemkat e mvelur të ariostokracisë dhe borgjezisë, e mo’, s’i kthen librat që merr në bibliotekë, e i detyron pionierët e dalluar t’i venë fletërrufe, e mo’… Edhe sot, arkivoli nga shtëpia e tij do të dalë. Sigurisht që për këtë vendim, është dhënë urdhër i prerë, nga ato urdhra të pashkruar e të pafirmosur gjëkundi , por të transmetuar grykshëm në telefon te veshi i duhur… Nga shtëpia e tij që do të bëhet një ditë muze dhe tempull pelegrinazhi i Poezisë, ku secili send i prekur dhe i përdorur nga Lasgushi, do të kthehet në fetish të magjishëm ! Institucionet shtetërore, institucionet shtetërore ; por si nuk e kuptuat asnjëherë, o të marrë të liq se, shtëpia është institucioni më i shenjtë !?

Po shkonim te Lasgushi

Të heshtur dhe të menduar

Dhe ishte vjeshtë

Po ç’mund të ishte tjetër ?

Lasgushi njihte veçse kalendarin e stinëve, ndërrimin e të cilave gati – gati e përgjonte si shumica e poetëve dhe, për rrjedhojë,  drithërohej i pari, duke u prekur dhe duke u gëzuar hareshëm si fëmijë nga shfletimi i beftë i peizazheve … Dhe,kur ishte dimër, heshtte i përfshirë nga një trishtim nostalgjik, tek kundronte drurët, që ua mvishte degët krahneza fine e brymës dhe më pas edhe krahneza rrëzëllitëse e dëborës, duke i kthyer në dritë të kristalizuar përralle, që pikëzohej aty – këtu nga harabelat, të cilët frynin puplat të përmalluar… Dhe, kur ishte verë, jetonte verën, i përfshirë nga afshet erotike, trillet dhe dalldia dhe, kur ishte pranverë, jetonte pranverën dhe, ashtu i ndezulluar, i hajthëm dhe gjithë vesk, si lastar i lëngëzuar, nxitonte të shihte bajamet e nusëruara, lulefushat e para dhe zogjtë e kthyer sakaq, që kishin nisur këngët e dashurisë majë pemëve apo nëpër arat e pluguara që avullonin …  Dhe, kur ishte vjeshtë ; ah, kur ishte vjeshtë, përmbytej nga kujtimet e jetës së tij të trazuar ! Ah, u largua, kur ishte vjeshtë… Një herë të vetme u shtir dhe pozoi Lasgushi teksa ikte nga qielli i tij dhe, dështoi shëmtueshëm me një farë vjershe që u stërmundua ta stiste, kinse për sukseset e mëdha të socializmit.

Por ç’dështoi?

Përvoja e urtësoi të merrte një vendim të prerë që, të mos vargëzonte më kurrsesi për kanalet vaditës, traktorët, plehrat kimikë e pesticidet, bllokadën e egër imperialisto – revizioniste; këto e ca të tjera si këto, do t’ia linte borive të Partisë

Heshti së gjalli tek i vlonte ende shpirti krijues së brendshmi, por lirikat me motivet e përjetshëm, këndoheshin mbarë Shqipërisë.

Heshti së gjalli vite e vite të tërë.

Por Poeti i lindur i tha furishëm të gjitha njëherësh, ashtu i ndërlidhur me Engjëllin e Poezisë, qenien metafizike nga yjet, përmes telepatisë që e zotëronte çmendurisht, si i shënjuar që ishte…

Shkoi dhe shtërgu i fundit…

Çfarë proteste me shmangie. Pa ballafaqime dhe përplasje, pa proklamatë dhe sherre, pa akuza të ndërsjella dhe, pa promemorie.

Po shkonim te Lasgushi

Të heshtur dhe të menduar

Asonanca e psherëtimave të gjetheve

Me shkrehjen e ujërave

S’na ndahej e s’na ndahej

Por gjer ku do ta ndiqnim

Poetin ?