Sigal

Në 52-vjetorin e vdekjes së Poetit të Madh

Petrit RUKA

Për turpin tonë historik dhe “harresat madhështore” në fushën e kulturës, (më saktë duhet shkruar në numrin shumës; për turpet tona madhërisht historike) në gazetën “Drita” të datës 21 dhjetor 1966, një lajm i thatë, i tmerrshëm për zemërngurtësinë e tij, drithërues për nga e vërteta lajmëronte ikjen nga letërsia shqiptare të poetit Ali Asllani, njërit prej dy-tre princave të derës mbretërore të poezisë shqipe. Nëse nuk u besoni syve shikoni foton ku shkruhet: “Më 21. XII. 1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç poeti Ali Asllani, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe të afërmve të poetit” Kryesia e Lidhjes së…” Përveçse cinik deri në përvëlim lajmi fshinte dhe gënjeshtrën, se poeti në të vërtetë kishte vetëm pesë vite që ish-ripranuar në Lidhje, pas përjashtimit dhe heqjes së të drejtës së botimit, qysh në vitin 1945.

Asnjë fjalë shtesë pas fjalëve “poeti Ali Asllani”, asnjë fjalë që ishte një nga dy-tre yjet e letrave shqipe në poezi, asnjë fjalë që ishte numri dy i shtetit të parë shqiptar në krah të babait të Kombit, Ismail Bej Vlorës.

Asnjë fjalë për be për veprat e tij të mëdha poetike…

Një turp përvëlues i shtetit tonë që është po i yni dhe kur është komunist dhe kur është si sot shtet demokratiko – kapitalist. Dhe turpi shtetëror vazhdon sot e kësaj dite. Akoma më përvëlues, tani në liri! Sepse ende, prej 28 vjetësh për këtë gjigant të gjuhës së bukur shqipe, shteti nuk ka luajtur as majën e gishtit. Asnjë rrugë me emrin e tij në Tiranë, asnjë bust a shtatore në Vlorë, asnjë institucion me emrin e tij, asnjë studim akademik, asnjë film dokumentar, asnjë… “Asnjë-të” janë pa fund…si bishti i një komete të zezë…që rri mbi kokat tona e na ka zënë diellin e nderimit. As që e marr guximin të shkruaj dy fjalë për vlerat e tij dhe veprën brilante të këtij luani të letërsisë shqipe, se nuk ia kam as takatin e as mundësinë për ca rreshta aq sa mban një shkrim modest në gazetë. Por për të bindur çdo shtetar të këtij vendi e çdo zyrë të Ministrisë sonë të Kulturës, bëni një sprovë të thjeshtë. I ftoni tërë poetët shqiptarë në një sondazh, qoftë edhe të fshehtë se çfarë vendi zë në shpirtin dhe mendjet e tyre ky poet dhe do të tronditeni. Në mos qoftë ndër tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë së shekullit që kaloi, me siguri do të jetë i pari, në krye të listës. Më tutje është e kotë të shkojmë… Por duhet ta lajmë këtë turp kombëtar nga kultura shqiptare, sepse rri aty mes saj, këmbëkryq, si një vrimë kozmike. Duke filluar, mbase nga Vlora, nga ajo Vlorë, ku ndaj kërkesës sime, një projekti të plotë prej 30 faqesh për të, (e në djall modestia!) për një film dokumentar mbi jetën dhe veprën ende në hije të zezë të Ali Asllanit nuk i janë përgjigjur qoftë edhe me një shkresë serie të fotokopjuar, nga ato që fillojnë me Z….. për dijeni të projektit tuaj të paaprovuar… Zoti na mëshiroftë, duke filluar prej meje!

Amen!

Ali Asllani, “Imam” Aliu i madh i poezisë shqipe të kërkojmë falje në gjunjë!

Sepse ende:

“Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
………………
dhe u bëtë pasanikë, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!”