Shpendi Topollaj: “Fluturon shqipja mbi Korab”, një libër plot mirësi i autorit të palodhur Halil Rama

371
Sigal

Atij që e ka njohur shkrimtarin dhe gazetarin Halil Rama, ‘Mjeshtër i madh’, patjetër që do t`i kenë mbetur në mendje ato tri qeshjet e tij metaforike: e para, ajo e syve, kur e takon, e dyta, ajo e shpirtit, kur bisedon me të dhe e treta, ajo e mendjes, kur e lexon. Dhe po të kërkosh një emërues të përbashkët për to, patjetër që do të arrish në përfundimin se ato burojnë nga mirësia që ai ka brenda vetes. Nga ana e saj, edhe kjo mirësi, vjen nga respekti ndaj njerëzve, vlerësimi ndaj punës së tyre, dashuria e tij për vendlindjen, orientimi nga idetë demokratike dhe krenaria e të qenit shqiptar. Natyrisht, këto do ishin të mangëta, sikur ai të mos ishte edhe i pajisur me dije, përkushtim në punë dhe ndershmëri. E gjithë kjo dallohet lehtësisht edhe në kolanën e tij të bollshme letrare, sikurse vërehet edhe te libri i botuar së fundmi nga M&B, me titullin kuptimplotë “Fluturon shqipja mbi Korab”. Këtu, në gati 300 faqe, janë përmbledhur një sërë reportazhesh, portretesh dhe kritikash letrare, që ky autor i ka kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe veprës së tyre. Por, duke u ngjitur me krahët e saj të fuqishëm, më sipër se mali madhështor i Dibrës heroike, shqiponja symprehtë sheh shumë larg, nëpër atdhe. Ndaj, gjejmë aty, shkrime për figura mbarëkombëtare si ajo e Heroit të Popullit, Nderi i Kombit, gjeneralit legjendë të mençurisë, urtësisë dhe trimërisë Rrahman Parllaku, për të cilin thotë se duke sfiduar kohërat “fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë”. Po kështu, ai ndalet te pasuesi i tij, në drejtimin e OBVL – së, i ndjeri kolonel Myfit Guxholli që ju mohuan të gjitha meritat edhe pse ishte shkencëtar i shquar ushtarak dhe familjarisht kishin marrë pjesë në rreshtat partizane, kundër pushtimit fashist. Më tej, autori Halil Rama flet për kontributin dhe fatin e pamerituar të Gjystina (Flora) Sata, Dishnica, gruas së një figure të shquar të LANÇ, Ymer Dishnicës, e cila e përballoi plot dinjitet goditjen që i kishte rezervuar diktatura komuniste. Kjo luftëtare e orëve të para që kishte provuar burgjet e pushtuesve dy herë, e internuar nga të vetët, së bashku me bashkëshortin e saj (Nderi i Kombit), megjithëse të shpallur “armiq”, “mbetën, sipas autorit të librit, të “shkruar” me gërma të arta në memorien qytetare beratase”. Dritëro Agolli ze një vend të rëndësishëm në kujtesën e tij, ndaj na sjell detaje nga vizitat që ai bëri në Muhurr. Edhe pse i vogël, ai mban mend momente plot emocione nga ato takime, ku patriarku i letrave, mori shtysa për librat e tij të bujshëm, si fjala vjen romani “Njeriu me top”, një kuriozitet i panjohur ky. Halili na jep portretin e mësuesit pasionant dhe shkrimtarit shumëplanësh Mevlud Buci, që edhe pse banon në Tiranë, nuk i ndahet shpirti nga Dibra. Po ashtu, vëmendjes së Halilit nuk i shpëton as e reja Marlin Tushe, poliglote me arritje dhe kontribute të gjera shoqërore jashtë shtetit, shembull frymëzimi për gjithë të rinjtë tanë. Por Dibra gjithmonë ka nxjerrë vetë burra që i kanë bërë atdheut shërbime të çmuara. I tillë mbetet gjenerali Dali Ndreu, bir i njërës nga familjet e mëdha dhe të njohura për rezistencë ndaj hordhive serbe. Por ironia është se pikërisht këtë figurë të spikatur, numrin dy në drejtimin ushtarak të Luftës NÇl. e pushkatojnë si agjent, po të serbëve. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në plumb shkohet edhe bashkëshorja e tij, ish anëtaria e Byrosë Politike, Liri Gega e cila ishte edhe shtatzënë. Autori ka ditur ta bëjë bindës shkrimin e tij për ta, duke sjellë dëshmi të pakontestueshme të vajzës së tyre, aso kohe tetë vjeçe Lavdie Merlika e cila, në kundërshtim me sa shpifte regjimi shpifës, se ata u kapën duke kaluar kufirin, deklaron se e vërteta është se prindërit e saj i kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë së xhaxhait në Sllovë, ku kishin shpënë të birin e sëmurë për klimë. Duke folur për narracionin e Halil Ramës, shkrimtari Shefqet Meko shprehet se ai “…shkruan thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrjedhshëm”. Ashtu është, pasi Halili i drejtohet çdo lexuesi, të cilët duan ta kujtojnë Haziz Nderun e famshëm, Dine Dodën të zgjuar e shpirtmadh, Velo Cfarkun, birin e Gollobordës dhe kryeredaktorin jetëgjatë të “Ushtima e maleve”, personazhin shumëdimensional, siç e quan ai, Prof. dr. Bujar Kapexhiun, opozitarin më simpatik, guximtar dhe aq popullor, oficerin e shkëlqyer madhor Ismail Shulku dhe Muharrem Gjokën që u shpallën “Nderi i Qarkut Dibër” etj. I mprehtë dhe kompetent në analizat që bën, Halili përfshin këtu disa kritika letrare mjaft serioze për krijimtarinë e autorëve të ndryshëm si Besnik Mustafaj, Ahmet Prençi, Shefki Karadaku, Bujar Kapexhiu (karikaturat e tij aq të goditura), për librin studimor të Prof dr. Fatmir Terziut i cili jo vetëm bën aq shumë te revista e tij “Fjala e lirë” në Londër, por dhe i rreh zemra për vendin e tij. Halili përfshin në libër një shkrim shumë dashamirës për njërin nga diplomatët tanë më të mirë dhe të palodhur, Shaban Muratin, Hysen Dervishin, për tregimet e Shefqet Mekos që sipas tij janë “Tregime që vijnë si fllad i freskët në prozën e sotme shqipe”. Pastaj vijojnë autorë si Kamber Faruku, Hajri Mandri, Isuf Rasha, Hamdi Skeja, Saimir Shatku, Qatip Mara, veprën e bukur studimere të modestit Sakip Cami dhe atë për kritikat e autorit të këtij shkrimi, për të cilën i shpreh gjithë mirënjohjen. Edhe tema e Çamërsië, Kastriotëve, fisit Berisha në Dibër, me dy vëllezërit gjeneralë të Skënderbeut (bazuar te romani i Naim Berishës “Të jetosh në paqe”, fisi Bruçi (bazuar te libri i Faik Bruçit), e deri mermeri i kuq i Muhurrit të tij. Në mbyllje, shkrimtari Halil Rama, krej njerëzishëm u kthehet disa kujtimeve të cilat e plotësojnë kaleidoskopin e librit me ecurinë intelektuale dhe profesionale të këtij autori me shumë vlera. Ky libër, kryesisht i bën jehonë njerëzve të mirë e atdhetarë të Dibrës, si atyre që nuk janë më, ashtu dhe atyre që punojnë për ditë më të mira. Se është ashtu siç thosh Nervali se “E kaluara dhe e ardhmja e jonë përbëjnë një të tërë. Ne jetojmë në fisin tonë dhe fisi ynë jeton te ne”.