Belind Këlliçi: Verifikimin e firmave e bën vetëm komisioni i ngritur në Kuvend

182
Sigal

 

Belind Këlliçi, Kryetar i FRPD

Kreu në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, njëkohësisht deputeti i PD, Belind Këlliçi deklaroi sot se nuk ekziston procesi zgjedhor i shpallur nga kreu i PD-së Lulzim Basha për zgjedhjet e strukturave drejtuese të FRPD dhe se sot do të anoncohet nga organet e këtij forumi.Këlliçi tha në News24 se nuk do të garojë më për kreun e FRPD. Ndërkohë ai foli dhe për depozitimin e 4200 firmave për thirrjen e Kuvendit, duke sqaruar dhe se kush i verifikon ato dhe pse janë dërguar në zyrën e zotit Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.“Nuk janë në kasafortë. Dje janë depozituar 4200 firma tek organi më i lartë. Nga mbledhja e një kuvendi në kuvendin e radhës, këshilli është organi më i lartë. 4200 firma janë depozituar dje në zyrën e z. Paloka në PD, si garant i firmave. Procesin e verifikimeve të firmave ka të drejtë vetëm një institucion ta bëjë, Kuvendi Kombëtar vetë, me një komision të ngritur, që verifikon mandatet e delegateve. Nuk është i njëanshëm, nuk është i zotit Berisha, është i demokratëve. Në një kuvend normal, kryetari thërret kuvendin, ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve dhe fillon kuvendi. Në kushtet e sotme, ndodhemi përballë një kuvendi kombëtar të jashtëzakonshëm. I vetmi organ që ka të drejtë të bëjë verifikimin është komisioni i verifikimit të mandateve që e zgjedh zoti Basha. Nëse zoti Basha nuk është në Shqipëri, apo nuk e njeh, atëherë është detyrë e vetë Kuvendit Kombëtar të vetëmblidhet. Kuvendi ka të drejtë të mblidhet kur janë ¼ e delegatëve që kanë firmosur. Komisioni i verifikimit të mandateve verifikon ligjshmërinë e mandateve dhe bën numërimin për kuorumin. Nëse nuk mblidhen delegatët nuk ka vlerë, por kjo vendoset ditën e Kuvendit. Komisionet ngrihen, përgatiten me gjithë materialet e domosdoshme dhe bëjnë verifikimin. Dhe në Kuvendin e fundit, ka qenë Jemin Gjana që ka bërë verifikimin”, tha Këlliçi.Sa i përket deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, Këlliçi tha se as zyra e z. Bardhi nuk është zyrë protokolli dhe se nga Kuvendi në Kuvendin e radhës, organi më i lartë kryetari i Këshillit Kombëtar, nuk është as kryetari, as kryesia.Lidhur me 11 dhjetorin si datë e Kuvendit, ai tha se është çështje statutore dhe e padiskutueshme. “E kemi kthyer partinë në artificë, PD është çështje fryme, çështje njerëzish. Ne duhet t’i kthehemi frymës politike. Ka një kërkesë masive për mbledhje ne Kuvendit. Si mund të ndihem i trysnuar, të kem frikë të marr pjesë në një foltore të organizuar nga lideri historik i partisë sime, ku marrin pjesë 1000 të rinj”, u shpreh Këlliçi.