Suplementi Pena Shqiptare/ Kadri Tarelli: Grua! Më falëndero që nuk e theva shishen

379
Sigal

Skicë humori

Shpëtimi, tashmë burrë i pjekur  në moshë, doli nga puna, mori biçikletën për dore dhe me çap të lodhur, u nis për në shtëpi. Pa pritur u kujtua se rakia ishte mbaruar dhe s’kishte asnjë pikë, jo për vete jo se jo, por as për miq e shokë. Ishte sosur edhe ajo që mbante rezervë.

U kthye tek dyqani aty pranë, “parkoi” biçikletën pas një peme ndanë udhës, duke e lidhur me një zinxhir të gjatë. Pagoi paratë dhe e tundi shishen me gjasa të shikojë sa e fortë ishte, duke harruar se kishte një jetë që atë lloj “Raki kantine me vapor” pinte. I shkëlqyen sytë. E vendosi me kujdes në koshin e biçikletës dhe uroi të birin emigrant, që i kish dërguar nga Italia këtë biçikletë me kosh përpara. – Sa të mençur që ka bota, – psherëtiu në heshtje, duke vazhduar bisedën me vetvete. – Si kam bërë më parë, për ta mbajtur në dorë apo në trajse, shishen e rakisë?‼ Eh, botë-botë, sa përpara ke ecur…..‼!

Për një çast stepi! – Po sikur të rrëzohem dhe shishja të thyhet? – i shkrepi mendja e zgjuar. – Më mirë ta pi që mos shkojë dëm. Me këto mëdyshje çasti, duke u çapitur e mori biçikletën për dore. Ky mendim i beftë e hutoi për fare pak kohë dhe vazhdoi udhën, deri sa gjeti një vend të ngritur për t’u ulur. E mori shishen, e tundi edhe një herë, si për t’u bindur, e puthi dhe e hapi. Gurgulloi disa gllënka të plota për ta ngrohur gurmazin, fshiu buzët më kurrizin e dorës dhe u ul. Kishte dit që s’kishte pirë, ndaj edhe i shijoi: – E mirë qenka e uruara….!

Kur kishte mbaruar gjysmën u kujtua se në xhep kishte një pako të vogël me “patatina” për mbesën. E hapi dhe u kënaq për mezen që sajoi. Më në fund, kur pa fundin bosh, e shtrydhi shishen sikur donte t’i merrte edhe piken e fundit. – S’paska më! Kur u mbarua kaq shpejt e verbra?! – Bënte sikur fliste me vete, me gjuhën e trashur nga pija.

Lëkundur si një varkë në det me dallgë shumë, trokiti në derë të shtëpisë, duke mbajtur në dorë shishen bosh. E shoqja u trondit kur e pa në atë gjendje të gjakosur, të grisur e tërë pluhur, sikur ishte përleshur me qentë e rrugës.

– Ç’ je bërë kështu more ditëzi? Ç’më gjeti mua, ç’më gjeti? Paske pirë, që pifsh helm e farmak bashkë! – mallkonte të shoqin dhe e tërhoqi brenda, duke mbajtur mos rrëzohej dhe çante kokën pas rraqeve në sallon. – Ty s’të lan as lumi Erzenit, as deti i Currilave, – shante e turfullonte e gjora grua.

– Gruaaaa! Mos më bërtittttt mua, seeee……. dëgjojnë koooomshinjtë! – foli Shpëtimi, me fjalët gjysma-gjysma. – Madje më falëndero që nuk e theva shishen, sepse jam rrëzuar disa herë. E kupton ç’do të kishte ndodhur sikur mos ta pija?! Dhe i lëshoi shishen në dorë.